Drejtuesit e Milanit

Leonardo dhe Maldini thonë se Gattuso nuk ka qenë asnjëherë në dyshim

Milani do të përballet sonte në mbrëmje me Spalin, në një sfidë që nga shumë njerëz të futbollit në Itali, konsiderohet edhe si testi i fundit i Gattusos në pankinën e kuqezinjve dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores, do të pasohej me humbjen e tij.

Megjithatë nuk janë të këtij mendimi dy drejtuesit e lartë të kuqezinjve, Paolo Maldini dhe Leonardo, të cilët janë thirrur për të futur në shinat e suksesit skuadrën dhe po punojnë për ndërtimin e saj.

“Gattuso nuk preket. Nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në diskutim e ardhmja e tij në stolin e Milanit, ndërsa mund t’ju garantoj se nuk është aspak e vërtetë që kemi kontaktuar trajnerë të tjerë, për të zëvendësuar Ringhion. Ajo që është e vërtetë, është momenti i vështirë që po kalojmë, të cilin duhet ta kalojmë duke kontribuuar të gjithë bashkë më shumë”, deklaroi Leonardo, ndërsa në të njëjtën linjë ishte edhe Maldini.

Drejtuesi brazilian i kuqezinjve foli edhe për merkaton e janarit, ku theksoi se po punon për të afruar disa lojtarë në huazim dhe për të krijuar një grup konkurrues për gjysmën e mbetur të kampionatit, por pranoi edhe vështirësitë që sjell kjo periudhë.