Rikthimi i Mauro Icardit në dispozicion të Spallettit duhet t’i krijonte telashe këtij të fundit, pasi do të duhet të vendoste se cili mes ish kapitenit dhe Lautaro Martinezit do të niste si titullar sfidën ndaj Lazios.
Megjithatë fati nuk ka qenë në anën e Lautaros, i cili ka pësuar një dëmtim në grumbullimin me Përfaqësuesen argjentinase dhe sipas mjekëve të skuadrës, do të duhet të qëndrojë për dy javë jashtë fushave të lojës.
Thënë ndryshe, në sfidën mjaft të rëndësishme të vlefshme për një vend në zonën Champions, përballë Lazios të dielën në mbrëmje, do të jetë momenti që në majë të sulit të luajë ish kapiteni, Mauro Icardi.
Ky i fundit ka qëndruar jashtë skuadrës që prej 13 Shkurtit, kohë kur edhe iu hoq shiriti i kapitenit, por pas disa ballafaqimesh me drejtuesit, u rivendos paqja dhe të enjten e kaluar iu bashkua skuadrës në stërvitje.
Tashmë Mauro do të tentojë të rikuperojë edhe marrëdhënien me tifozërinë zikaltër, duke kërkuar golin në sfidën ndaj Lazios, e cila nëse fitohet nga Interi, do të konsolidojë ekipin e Spallettit në zonën Champions.







