Lekaj: Durmishi po e përmend emrin tim në medie për ta tërhequr vëmendjen nga tenderi 1 milionësh që ia dha ish-shefit të tij

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar pas lajmit se zëvendësministri aktual i këtij dikasteri, ka dërguar në Prokurorinë Speciale kontratën e nënshkruar nga ish-ministri Lekaj, ku vlera e parashikuar ishte 500 mijë euro ndërsa kishte përfunduar në vlerë prej 5 milionë e 300 mijë euro.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lekaj ka thënë se kjo akuzë është tendencioze dhe sipas tij, Durmishi po përmend emrin e tij për ta shpërqëndruar vëmendjen nga siç thotë ai, aferat e tij korruptive.

“Derisa në Ministrinë e Liburn Aliut është instaluar një anarki totale financiare dhe keqpërdorim i thellë i buxhetit, me të cilat keqpërdorime duhet te merren seriozisht organet, zëvendësi i tij Hysen Durmishi, një ditë pasi i dha tender 1 milion Euro ish-shefit të tij, del dhe përmend emrin tim në media pa asnjë argument, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tij korruptive.”, ka shkruar Lekaj.

Tutje, ish-ministri thotë se në kohën sa udhëhiqte me MI-në, nuk ka nënshkruar asnjë kontratë të tillë dhe sipas tij kjo do të dëshmohet shumë shpejt.

“Nga unë, gjatë kohës kur kam qenë Ministër i Infrastrukturës, e them me bindje të plotë, dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejtë, nuk kam nënshkruar asnjë kontratë të tillë siç është përshkruar në deklarimet e z. Durmishit. Paraqitja e z. Durmishi dhe implikimi i im në deklarimet e tij, sikurse edhe raportimet dhe titujt e mediave janë tendencioze ndaj meje.”, ka deklaruar Lekaj.

Ky është postimi i plotë i Lekajt:

Reagim ndaj lajmeve të publikuar në disa media se “Durmishi e dërgon në Prokurori Speciale Lekajn”.

Me lajmin e datës 2 Korrik 2021 i shpërndarë në disa media është shpallë një gënjeshtër në opinion me të vetmin qëllim për t’i mbuluar shkeljet dhe veprimet korruptive të 3 muajve të qeverisjes aktuale.

Nga unë, gjatë kohës kur kam qenë Ministër i Infrastrukturës, e them me bindje të plotë, dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejtë, nuk kam nënshkruar asnjë kontratë të tillë siç është përshkruar në deklarimet e z. Durmishit.

Paraqitja e z. Durmishi dhe implikimi i im në deklarimet e tij, sikurse edhe raportimet dhe titujt e mediave janë tendencioze ndaj meje.

Ndërkohë që vetëm gjatë dy muajve të fundit Durmishi në Ministrinë që udhëheqë Liburn Aliu kanë nënshkruar afër 10 milion euro kontrata pa zhvilluar asnjë procedurë të prokurimit dhe të njëjtat nuk janë publikuar fare, duke kontrabanduar në zyrën e Durmishit vlera fiktive dhe të rrejshme.

Derisa në Ministrinë e Liburn Aliut është instaluar një anarki totale financiare dhe keqpërdorim i thellë i buxhetit, me të cilat keqpërdorime duhet te merren seriozisht organet, zëvendësi i tij Hysen Durmishi, një ditë pasi i dha tender 1 milion Euro ish-shefit të tij, del dhe përmend emrin tim në media pa asnjë argument, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet dhe aferat e tij korruptive.

Nuk është hera e parë që jam bërë pjesë e të tilla fushatave dhe persekutimeve të ashpra publike pa asnjë bazë argumentuese, por këto të pavërteta nuk më ndalin.