Gjermani

Leipzig fundos Bayernin, vazhdon “mallkimi” për Kane

Leipzig ka mundur 3-0 Bayern Munich dhe ka fituar Superkupën e Gjermanisë. Një rezultat befasues dhe që ka shuar entuziazmin e bavarezëve për blerjen e Harry Kane.

Sulmuesi anglez, në fakt, u largua nga Tottenham pikërisht sepse ishte lodhur duke mos fituar asnjë trofe me Spurs, por duket se mallkimi po e ndjek edhe në Gjermani.

Super sfida e futbollit gjerman ka nisur me gol. Ka qenë Leipzig që ka zhbllokuar ndeshjen pas vetëm 3 minutash lojë me Olmo.

Situata është përkeqësuar në minutën e 44-t për Bayern-in, pasi Leipzig ka dyfishuar avantazhin. Ka qenë përsëri Olmo që ka ndëshkuar skuadrën e Tuchel.

Edhe pjesa e dytë ka folur për Leipzig, me ekipin e Red Bull që ka shënuar edhe golin e tretë përsëri me Olmo, i cili është treguar i saktë nga pika e bardhë.

As aktivizimi i Harry Kane në minutën e 63-të nuk ka sjellë asnjë ndryshim për skuadrën e Tuchel, që e ka nisur sezonin në mënyrën më të keqe të mundshme.