Leicester City nuk e pranon ofertën e Unitedit për Maguiren

Tentimet e Manchester Unitedit për ta transferuar Harry Maguiren nga Leicester City gjatë këtij afati kalimtar të verës nuk kanë të ndalur dhe klubi anglez dëshiron që së shpejti ta kompletojë këtë transferim.

Manchester Unitedi e kaloi rivalin Manchester Cityn në garën për mbrojtësin anglez, duke e ngritur ofertën në 70 milionë funte, pas ofertave fillestare të të dy klubeve muajin e kaluar, në vlerë prej 65 milionë funteve.

Por, Leicester City e ka bërë të qartë se ata nuk janë interesuar ta shesin Maguiren me këtë çmim, veçanërisht pasi Manchester Unitedi i shpenzoi 50 milionë funte për Aaron Wan-Bissakan. Drejtuesit e Leicester Cityt besojnë se Maguire vlen shumë më shumë për shkak të përvojës së tij.

Pronari i Leicesterit, Aiyawatt Srivaddhanaprabha, nuk dëshiron të pranojë ofertën e dy klubeve të Mançesterit për Maguiren, pasi që ai i ka edhe katër vjet në kontratën e tij dhe shihet si lojtar kyç në skuadrën e tyre.

Manchester Unitedi tashmë i ka transferuar dy futbollistë të rinj anglez këtë verë, Daniel Jamesin nga Swansea City dhe Wan-Bissakan nga Crystal Palace. Sky Sports raporton se “Djajtë e Kuq” po tentojnë ende ta përforcojnë skuadrën edhe me Maguire.