Legjenda e Francës e krahason Mbappen me Henryn dhe Ronaldo “Fenomenin”
Sipas ish mesfushorit të Francës, Youri Djorkaeff, sulmuesi i Paris Saint Germain, Kylian Mbappe i ngjason Thierry Henrys por që në të ardhmen do të krahasohet me Ronaldo “Fenomenin”.
Mbappe tashmë llogaritet të jetë në mesin e futbollistëve më të mirë në botë, derisa përfundoi i katërti në garën për Topin e Artë pas vitit të mrekullueshëm me kombëtaren e Francës dhe te PSG-ja.
19 vjeçari deri në këtë fazë të sezonit ka realizuar 14 gola në 15 paraqitje në të gjitha kompeticionet, ndërsa fituesi i Kupës së Botës me Francën në vitin 1998, Djorkaeff beson se Mbappe shumë shpejt do të krahasohet me ish sulmuesin brazilian, Ronaldo.
“Kam pasur mundësinë të luajë me shumë sulmues të mirë. Mendoj se Mbappe i ngjason më shumë Thierry Henrys sepse kanë shpejtësinë e njëjtë. Ronaldo pranonte topin dhe driblonte. Mbappes i duhet lëvizja e Henryt. Ronaldo luante si numër 9, kurse Mbappe aktivizohet në vijë sikur Henry. Pas dy apo tre viteve besoj se mund ta krahasojmë Mbappen me Ronaldon, sepse sipas meje ai do të luajë si numër 9”, deklaroi Djorkaeff.
Kylian Mbappe në mbrëmjen gala të Topit të Artë, fitoi çmimin “Kopa” që ndahet për futbollistin më të mirë nën moshën 21 vjeçare.