Leedsi konfirmon largimin e Alioskit

Leeds Unitedi ka konfirmuar largimin e futbollistit shqiptar, Ezgjan Alioskit, të cilin e ka falënderuar për kontributin që ka dhënë.

Klubi anglez ka njoftuar se i kishte bërë ofertë Alioskit që të qëndronte, por nuk ka arritur të gjejë gjuhë të përbashkët me lojtarin dhe menaxherin e tij.

Alioski largohet si lojtar i lirë, pasi i kishte skaduar kontrata në fund të qershorit.

Mbrojtësi i krahut të majtë largohet nga Leedsi pas katër vjetësh. Ai ka regjistruar 171 paraqitje, duke shënuar 22 gola. Me Leedsin kishte debutuar me më 6 gusht 2017 në fitoren ndaj Boltonit 3:2.

Në edicionin 2019/20, Alioski ndihmoi skuadrën angleze që të kthehet në Premier League për herë të parë pas 16 vjetësh.

Në sezonin e fundit, realizoi dy gola në 36 ndeshje.

29-vjeçari ishte pjesë e Maqedonisë së Veriut në “Euro 2020”.