Në një bisedë me gazetarët në Bruksel, në prag të samitit të jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian, Babiš pohoi se që nga fillimi i luftës, Ukraina ka marrë rreth 520 miliardë euro, ndërsa 90 miliardë euro të tjera ndihma janë planifikuar për vitet 2026 dhe 2027.
Duke komentuar kërkesën e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për 70 miliardë euro shtesë, Babish tha se Praga nuk e sheh të arsyeshme sigurimin e këtyre parave nëse autoritetet në Kiev nuk mund të shpjegojnë se për çfarë synohet.
"Dua të pyes se cili është qëllimi. A do t'i japim Ukrainës 135 miliardë euro çdo vit dhe deri kur? Sa vjet? 10, 20, 30? Apo cila është strategjia?" pyeti Babish, raporton portali çek iDNES.
Anëtarët zhvillojnë diskutime të ashpraë
Në samitin në Bruksel, udhëheqësit e shteteve anëtare po zhvillojnë diskutime të ashpra mbi propozimin për buxhetin afatgjatë të Unionit për periudhën nga viti 2028 deri në vitin 2034. Vendet që kontribuojnë më shumë në buxhetin e përbashkët sesa marrin prej tij janë në favor të uljes së alokimeve, ndërsa përfituesit neto po kërkojnë një rritje të buxhetit. Projektbuxheti shtatëvjeçar parashikon ndarjen e 100 miliardë eurove për Ukrainën.
Përveç kësaj, Komisioni Evropian javën e kaluar propozoi një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për të mbuluar nevojat e Ukrainës për vitin e ardhshëm. Kredia ka për qëllim të mbulojë deficitin, të cilin Ukraina e vlerëson të jetë rreth 70 miliardë euro. Bashkimi Evropian mori përsipër të mbulojë dy të tretat e kësaj shume, ndërsa vendet e tjera aleate duhet të kontribuojnë shumën e mbetur prej 25 miliardë eurosh.
Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Bullgaria njoftuan se nuk duan të marrin pjesë në kostot e asaj kredie, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz e kushtëzon mbështetjen për Kornizën e re Financiare Shumëvjeçare (KMF) me pjesëmarrjen e përbashkët të të 27 shteteve anëtare në mbulimin e deficitit financiar të Ukrainës për vitin 2027.






