NBA

Lebron James “gjunjëzohet” para magjisë së James Jarden

James Harden magjeps publikun e “Toyota Center” në përballjen me Los Angeles Lakers, të cilën Houston Rockets e fituan me rezultatin 126-111.

“Mjekroshi” rezultoi thjesht i papërmbajtshëm, duke shënuar plot 50 pikë, dhënë 11 asiste dhe kontrolluar 10 topa poshtë koshit, për një “triple double” që do të ketë lënë pa fjalë edhe LeBron James.

Ylli i Lakers, ishte më i miri në radhët e kalifornianëve me 29 pikë, por që ishin të pamjaftueshme para performancës për kopertinë të Harden. Sfida ishte e ekuilibruar deri në mesin e periodës së katërt, por pikërisht në këtë moment vendimtar, Harden realizoi 15 nga 17 pikët e fundit të Rockets. Një fitore morali kjo për Houstonin, që duhet të ruajë ecurinë pozitive për t’iu afruar sa më shpejt zonës play off.

San Antonio Spurs morën një fitore të lehtë 125-87 përballë Los Angeles Clippers, me kalifornianët që zhvilluan një nga ndeshjet më të dobëta të sezonit. Spurs e patën të lehtë me dyshen Aldridge-Gay, me 48 pikë në total, duke siguruar fitoren e katërt radhazi, që i ngjit në vendin e 10-të në Perëndim.

Phoenix Suns fituan 99-89 me Dallas Mavericks, por më shumë se suksesi i ekipit nga Arizona përbën lajm rikthimi mbi parket i Dirk Nowitzkit, që mungonte për shkak të një dëmtimi në kavilje që nga muaji prill. 6 minuta u aktivizua basketbollisti gjerman i Mavericks, i cili bëhet i pari lojtar që luan për 21 sezone radhazi me të njëjtën skuadër.

Për Suns, që siguruan fitoren e pestë sezonale, që gjithsesi nuk i largon nga fundi i renditjes në Perëndim, spikati me 30 pikë T.J. Warren, ndërsa Jamal Crawford shtoi 17 pikë të tjera.

Përballja mes Orlando Magic dhe Chicago Bulls u luajt në Qytetin e Meksikos dhe përfundoi me fitoren 97-91 të Magic. Spikati në këtë ndeshje Nikola Vucevic me 26 pikë e 10 topa poshtë koshit, ndërsa në kampin kundërshtar të Bulls-ave, Zach LaVine realizoi 23 pikë, por që nuk i dhanë kënaqësinë e fitores.