Vdes Ismail Kadare

LDK për vdekjen e Kadaresë: Kujtojmë me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar për vdekjen e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.

Në reagimin e LDK-së thuhet se Kadare do të mbetet ikonë e letërësisë e mjeshtër i papërsëritshëm.

“Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm.”

“Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë.” – thuhet ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional.

Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe.

Ai ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare. Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë.

Kadare, ka fituar çmime dhe njohje të panumërta për mjeshtërinë e tij në letërsi, e po ashtu ai ishte përmendur shumë herë edhe si kandidat potencial për Çmimin Nobel në Letërsi.

Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm.

Po ashtu, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kujtojmë me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm.

Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Dritë pastë shpirti i tij!