LDK: Kurti diskriminues ndaj sektorit privat e të papunëve, roja me 300 e drejtori i PTK-së me 2 mijë euro përfitojnë njësoj

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për media ka thënë se qeveria Kurti me pakon e re financiare ka vendosur të injorojë punëtorët e sektorit privat dhe qytetarët e papunë.

Mustafa tha se qeveria në panik ka vendosur të blejë paqen sociale me shpërndarjen e mjeteve te disa shtresa të qytetarëve.

Deputeti Mustafa deklaroi se qeveria injoroi kategorinë që kontribuon më së shumti në ekonomi, sektorin privat.

“Për LDK-në ky është veprim në panik i Qeverisë, për të ulur pakënaqësinë në rritje, për të blerë paqen sociale, në vend se të jetë një plan i menduar mirë për të zgjidhur krizën. Qeveria ka vendosur të injorojë tërësisht të punësuarit në sektorin privat dhe vet sektorin privat, të cilët janë kontributdhënësit më të mëdhenj tatimor dhe vet motori i ekonomisë sonë. Nga të punësuarit në sektorin privat kjo Qeveri vetëm merr, e asgjë nuk jep. Asnjë cent, po ashtu, nuk u dhanë as të papunëve. Pra, ata që nuk kanë asnjë të hyrë, Qeveria vendosi t’i injorojë tërësisht”, ka thënë ai.

Ai tutje është shprehur se pako e qeverisë është diskriminuese pasi do ta ndajë vlerën e njëjtë për punëtorin me 300 euro njëjtë si drejtorit të PTK-së me 2 mijë euro rrogë.

“Kjo pako qartësisht nuk ofron mbështetje për të gjithë qytetarët dhe është diskriminuese. Është diskriminuese për shkak se shkakton pabarazi, duke u ndarë vlerën e njëjtë edhe atyre me 300 euro rrogë edhe atyre me 2.000 euro rrogë! Pra, si roja si drejtori ekzekutiv i PTK-së marrin të njëjtën përkrahje nga kjo Qeveri! Është e paqartë se si një Qeveri që pretendon që është qeveri social-demokrate nuk qan kokën për barazi, sidomos kur shpërndajnë para publike”, ka thënë Mustafa.