LDK-ja e “kapë” Policinë e Kosovës, zëvendësuesi i Rashit Qalajt është i afërt me partinë e Mustafës

Zyra e kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar se kryeministri Avdullah Hoti shkarkoi sot nga detyra, drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn.

“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në raportin e performancës për drejtorin e Policisë së Kosovës, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka liruar nga detyra Rashit Qalaj, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, njofton kryeministria.

Tutje, theksohet se në përputhje me Ligjin për Policinë, Kryeministri Hoti ka emëruar Samedin Mehmeti, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”.

Por kush është Samedin Mehmeti?

Ballkani.info ka raportuar për këtë emër qysh më 19 tetor të vitit 2018.

Mehmeti e kishte zhveshur uniformën e Policisë së Kosovës dhe ia kishte kthyer për gati 10 vjet shpinën PK-së.

Gati një dekadë të tërë kishte punuar me organizata ndërkombëtare për paga më të larta.

Si njeri i afërt me LDK-në dyshohej se kundërligjshëm ishte kthyer sërish në Policinë e Kosovës gjatë qeverisjes së Isa Mustafës.

Është fjala për Samedin Mehmetin, i cili ishte kthyer pas rreth 10 vjetësh në gradën e njëjtë si nënkolonel në Policinë e Kosovës.

Ligji për Policinë e Kosovës, në kohën kur e kishte braktisur këtë institucion nënkoloneli Samedin Mehmeti, qartazi e kishte kufizuar rikthimin e atyre që e braktisin vetëm në periudhë përbrenda 4 vjetëve, jo pas gati 10 vjetëve sikurse në rastin e Samedin Mehmetit, derisa në rast kthimi secili prej atyre që kishte grada duhej t’i nënshtrohej procesit të gradimit nga fillimi dhe jo të kthehej me gradën e njëjtë.

Aso kohe, pra në tetor të vitit 2018, nga burime brenda Policisë së Kosovës, Ballkani.info pati mësuar se e njëjta gjë nuk kishte ndodhur edhe me nënkolonelin Samedin Mehmeti, i cili përveçse dyshohej se ishte kthyer kundërligjshëm, ai ecte sigurt zgjedhjes Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Ashtu edhe ndodhi, Samedin Mehmeti në janar të vitit 2019 u zgjodh Zëvendësdrejtor i PK-së.

“Është punë e kryer, Samedini do të bëhet zëvendësdrejtor. Edhe pse është i afërt me LDK-në, përmes lobuesve të tij e ka marrë përkrahjen e kryeministrit Haradinaj, pra të AAK-së dhe AKR-së”, kishte thënë një burim i mirëinformuar brenda Policisë së Kosovës për Ballkani.info.

Sipas tij, është “sekret publik” që PDK-ja e kishte zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm, Rashit Qalaj dhe tashmë nuk përzihet tek zgjedhja e zëvendësdrejtorëve.

Për t’u zgjedhur Drejtor apo Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, bazuar në nenin 38 të ligjit aktual, kandidatët duhet ta kenë gradën policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vjet.

Zyrtarët policorë të emëruar në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm ose të Zëvendësdrejtorit të

Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit rimarrin sërish gradën e mëparshme të cilën e kanë pasur para emërimit në këto pozita. /Ballkani.info/