Në prag të zgjedhjeve lokale në Junik, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur bindjen për fitoren e partisë së tij në këtë komunë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Abdixhiku ka thënë se “festa e fitores ka nisur më herët” në qytetin që ai e cilësoi si “qyteti i besës e i lavdisë”.

“Mes njerëzve të drejtë e punëtorë, ndjeva sërish pse kjo rrugë ka kuptim. Junikasit dinë të zgjedhin me zemër dhe me mendje. E dinë se kush ka punuar me ta dhe për ta; dhe Juniku në të shkuarën nuk kthehet”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka lavdëruar kandidatin e LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehun, duke e quajtur “njeriun e punës, të besës dhe të fjalës së mbajtur”, ndërsa theksoi se Shehu është “fytyra e LDK-së në këtë qytet”.

Kreu i LDK-së ka falënderuar gjithashtu aktivistët dhe qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës, të cilën e përshkroi si “një rrëfim njerëzor e dinjitoz”.

“Nesër fitojmë në Junik. Ruzhdi Shehu edhe katër!”, përfundon postimi i Abdixhikut.