LDK i përgjigjet Thaçit: Veprimi yt është shfrytëzim i të drejtës Kushtetuese, vendi duhet të shkojë në zgjedhje

Edhe partia opozitare LDK, ka reaguar pas shkresës zyrtare të Presidentit të Kosovës, i cili i ka kërkuar koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së LDK-së, ka thënë para medieve se veprimi i Presidentit është shfrytëzim i të drejtës Kushtetuese.

“Veprimi i Thaçit është shfrytëzim i të drejtës Kushtetuese që ka Presidenti i Republikës së Kosovës. I është drejtuar partnerëve të koalicionit, nuk ka të bëjë me LDK-në. LDK-ja këtë fazë sillet me kulturë institucionale. Qëndrimi ynë është që vendi të shkojë në zgjedhje,është rruga e vetme që garanton legjitimitet”, ka thënë ai.

Ndërsa në shkresën zyrtare të presidentit Thaçi drejtuar Kadri Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

loading…