25 vjetori i vrasjes

LDK e kujton veprimtarin e saj, Fehmi Agani: Vrasja e tij, hakmarrje ndaj lëvizjes tonë politike, ishte boshti intelektual i Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës pashmangshëm e kujton sot, në 25-vjetorin e vrasjes, Fehmi Aganin, nënkryetarin e partisë më të vjetër në vend.

LDK-ja thotë se vrasja e Aganit ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes politike për liri e pavarësi.

“Më 6 maj të vitit 1999, pa pritur agun e lirisë, forcat policore e ushtarake serbe, shuan nga jeta intelektualin e rrallë, politologun, atdhetarin e madh të Kosovës, e nënkryetarin e LDK-së, Fehmi Agani. Si shkrimtar, gazetar, si sociolog e mbi të gjitha si atdhetar i madh, Prof. Agani ishte pjesë e gjeneratës së artë intelektuale e politike shqiptare në Kosovë në fund të shekullit kaluar. Vrasja e tij ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes tonë politike për liri e pavarësi. Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të Kosovës”, thuhet në një postim në faqen e LDK-së në Facebook.

“Profesor Agani, dha kontribut të çmuar në edukimin dhe arsimimin e shumë gjeneratave të Universitetit të Prishtinës, të cilët më vonë ishin dhe prijës të lëvizjes për liri e pavarësi. Fehmi Agani ishte njeriu i urtë e fjalëpak, që gjithë karrierën e tij akademike ia kishte përkushtuar jo vetëm arsimimit dhe edukimit të brezave të tërë, por mbi të gjitha ligjëratat e tij synimin kryesor kishin brumosjen atdhetare e patriotike për t’i rezistuar armikut, deri në liri dhe çlirim”, thuhet tutje në postim.

LDK kujton gjithashtu se “Agani, ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike, krah i djathtë i Presidentit Rugova dhe nënkryetar i LDK-së”.

“Andaj, sot në 25 vjetorin e vrasjes së tij nderojmë dhe kujtojmë jetën e bujshme arsimore e atdhetare; personalitetin dhe figurën e tij patriotike e politike, që mbeten model për gjeneratat e ardhshme. Sot, një çerekull pas nga vrasja e tij, ne kujtojmë dhe nderojmë figurën markante të prof. Aganit, që pas vetës la një thesar të çmuar prej një intelektuali dhe politikani të një plejade të papërsëritshme”, thuhet në postim.

“Trashëgimia që ai la pas është pjesë e përkushtimit në punën tonë të përditshme për ta bërë Kosovën të tillë siç ai e deshi e ëndërroi gjithmonë. Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit të madh, prof. Fehmi Agani!”, thuhet në postimin e LDK-së.