Lazio në çerekfinale të Kupës së Italisë

Lazio është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Italisë.

Të martën mbrëma, Lazio e ka mposhtur Udinesen pas 120 minutash lojë me rezultatin 1:0. Koha e rregullt u mbyll 0:0.

Golin që pati vlerën e kalimit tutje e shënoi Ciro Immobile në minutën e 106-të.

Sulmuesi italian paraboloi portierin e Udineses, Marco Silvestrin, pas asistimi të Danilo Cataldit.

Në këtë takim, sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi ishte titullar te Lazio dhe luajti deri në minutën e 71-të, por as në këtë takim nuk ia doli të shënojë.

Ai u zëvendësua nga Ciro Immobile, i cili ia doli që të realizoi golin e fitores dhe të kualifikimit.

Te Lazio nga minuta e 80-të u paraqit Elseid Hysaj, ndërkaq në bankën e rezervistëve ishte portieri Thomas Strakosha.

Në çerekfinale, Lazio do të përballet me Milanin.