Lazio ia shkakton Juventusit humbjen e parë në 21 ndeshje

Juventusi e humbi mundësinë e artë për ta rimarrë kreun e tabelës së Serisë A pasi u mposht nga Lazio me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Olimpico, në kuadër të xhiros së 15të të Serisë A.

Bardhezinjtë kishin arritur një ecuri prej 20 ndeshjeve radhazi pa asnjë disfatë para kësaj ndeshjeje dhe sonte synonin ta vazhdonin këtë ecuri dhe t’ia rrëmbenin Interit pozitën e parë në tabelën e Serisë A.

Ata dukej se po shkon në rrugën e duhur për ta realizuar këtë dëshirë, pasi që Cristiano Ronaldo arriti t’i kalojë në epërsi përmes një goli të shënuar në minutën e 25-të të ndeshjes.

Pak para fundit të ndeshjes, Lazio arriti ta barazojë rezultatin përmes Luiz Felipe, ndërsa Juventusi u godit edhe një herë në minutën e 69-të, kur Juan Cuadrado u ndëshkua me karton të kuq.

Pesë minuta pas këtij kartoni të kuq, Sergej Milinkovic-Savic e shënoi golin e fitores, ndërsa më vonë Ciro Immobile gaboi nga pika e penalltisë.

Lazio e vulosi këtë fitore në minutën e pestë të kohës shtesë, kur Felipe Caicedo shënoi për skuadrën vendase.

Tani, Juventusi mbetet në pozitën e dytë, me 36 pikë, dy pikë prapa Interit, ndërsa Lazio mbetet i treti, me 33 pikë.