Lavrov thotë se SHBA-ja po tenton ta revidojë marrëveshjen e Brukselit dhe ta fusë Kosovën në NATO

Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, ka deklaruar sot se SHBA-ja po tenton të revidojë marrëveshjen e Brukselit, në pjesën e saj ku flitet për Asociacionin e komunave serbe, në mënyrë që “ta tërheqin Kosovën në NATO” dhe atje të mbajnë bazën e tyre ushtarake.

Në këtë kontekst, Lavrovi ka kujtuar se para katër vjetësh është nënshkruar marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, me të cilën garantohen të drejtat gjuhësore, kulturore e fetare të serbëve.

“Ky asociacion nuk është territorialisht kompakt – është veriu, ku territoret janë afër njëra-tjetrës dhe ekzistojnë enklavat, që po ashtu janë pjesë e këtij asociacioni. Ky asociacion e ka flamurin e tij, himnin dhe stemën. Marrëveshja ka mbetur në letër tash e katër vjet. Tani kemi tentime që të bëhet revidimi i saj në të gjitha aspektet, me pjesëmarrjen aktive të SHBA-së për të zhvilluar një situatë në të cilën Kosova do të mund të futet në NATO, bashkë me bazën më të madhe amerikane në Evropë, Bondsteelin”, citon agjencia ruse e lajmeve TASS të ketë thënë Lavrovi.

Lvrovi më herët gjatë ditës tha po ashtu se SHBA-ja dhe partnerët e saj evropianë po mendojnë të fusin edhe Bosnjë e Hercegovinën në NATO.

loading…