Ministri i jashtëm rus

Lavrov: Rusia do të vendosë armë shtesë për shkak të hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot në Antalia të Turqisë se Rusia do të vendosë armë shtesë në rrethet ushtarake të sapoformuara të Moskës dhe Leningradit në përgjigje të hyrjes së Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Lavrov tha në konferencën për shtyp të mbajtur në Forumin Diplomatik se me hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO, “të gjitha dekadat e gjata të fqinjësisë së mirë” të këtyre vendeve me Rusinë janë shembur, shkruan TASS, transmeton Ballkani.info.

“Ne kemi marrë një vendim organizativ: është krijuar Qarku Ushtarak i Moskës, Qarku Ushtarak i Leningradit, aty do të vendosen armë shtesë, të cilat do të jenë adekuate për kërcënimet që mund të shfaqen në territorin e Finlandës dhe Suedisë”, tha ai.

Në Norvegji nesër, të dielën, do të nisë stërvitja e madhe ushtarake “Nordic Response”, në të cilën deri më 14 mars në Arktik do të marrin pjesë 20 mijë ushtarë të vendeve të NATO-s dhe anëtares së ardhshme – Suedisë.

Finlanda u bashkua me NATO-n më 4 prill 2023 dhe Parlamenti i Hungarisë më në fund miratoi marrëveshjen për pranimin e Suedisë në NATO në fillim të kësaj jave. Hungaria e bëri këtë si anëtarja e fundit e Aleancës. Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, Sándor Lepshak, vetëm sot ka nënshkruar vendimin, i cili duhet të shpallet nga presidenti i ri i Hungarisë, Tamas Suljok.

Për këtë arsye pritja zyrtare e Suedisë – anëtares së 32-të të NATO-s, me ngritjen e flamurit të saj në selinë e asaj aleance në Bruksel, e planifikuar për të premten, më 1 mars, u shty për javën e ardhshme. /Ballkani.info/