Një sondazh i realizuar në televizion ka shpërfaqur optimizmin e verbër të një pjese të qytetarëve për nivelin e papunësisë në Kosovë.
10 mijë e 328 nga 19 mijë e 575 pjesëmarrës në sondazhin e realizuar nga RTV Dukagjini janë shprehur se besojnë që gjatë javëve të pandemisë është zvogëluar numri i të papunëve në Kosovë.
Sipas rezultatit të sondazhit, 53 për qind e votuesve i besojnë verbërisht shifrave të prezantuara nga ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, i cili të mërkurën tha se në Kosovë është zvogëluar papunësia gjatë javëve të fundit.

Por, shifrat e publikuara nga odat ekonomike dhe sindikatat e pavarura të punëtorëve kanë shpërputhje të mëdha me ato të publikuara sot nga ministri Bislimi.
Sipas Sindikatës e Punëtorëve të Sektorit Privat, vendi mund të ballafaqohet me rritje të konsiderushme të papunësisë.
Më 1 maj të këtij viti, udhëheqësi i kësaj sindikate, Jusuf Azemi u shpreh se në muajt qershor dhe korrik parashihet të ketë humbje të mbi 100 mijë vendeve të punës.
“Nga kjo situatë çfarë jemi dhe nga situata të cilën institucionet kompetente nuk janë duke menduar fare se si të dilet nga kjo situatë, ne sigurisht se muajin qershor, eventualisht korrik do të kemi mbi 100 mijë vende të humbura të punës”, tha Azemi.
Rritja e papunësisë ka prekur edhe fuqitë ekonomike botërore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Të enjten e kaluar, shifrat nga Departamenti i Punës i SHBA-së treguan se 3.8 milion më shumë amerikanë paraqitën kërkesat për përfitime të papunësisë gjatë dy javëve të fundit.
Kjo është rritja më e ulët javore për një muaj, por gjithsesi shumë e lartë, duke sjellë në rreth 30 milion vende pune të humbura gjatë pandemisë.







