Latifi pas helmimit masiv në Deçan: Secili i çmendur apo terrorist fare lehtë mund të helmojë ujin në këto sisteme

Filozofi Blerim Latifi ka reaguar pas helmimit të mbi 900 qytetarëve në Komunën e Deçanit, duke thënë se nëse del se është vepër e qëllimshme, atëherë duhet të dihet sa të pasigurta janë sistemet e furnizimit me ujë në Kosovë.

Latifi në Facebook ka shkruar se mund të mendohet se secili i çmendur ose terrorist fare lehtë mund të helmojë ujin në këto sisteme, për të ngritur pasiguri e kaos.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të veprojë menjëherë që këto sisteme të kenë sigurinë e mjaftueshme.

“Nëse helmimi i ujit në Deçan, nga i cili pësuan rreth 900 qytetarë, del se është vepër e qëllimshme, atëherë mund të përfytyrojmë se sa të pasigurta janë sistemet publike të furnizimit me ujë në Kosovë. Mund të mendojmë se secili i çmendur apo terrorist fare lehtë mund të helmojë ujin në këto sisteme, për të nxitur pasiguri e kaos në këtë shtetin tonë, edhe ashtu mjaft të brishtë. Qeveria e Kosovës duhet të veproj menjëherë që këto sisteme të kenë sigurinë e mjaftueshme. Deri me tani, fatkeqësisht, te kjo qeveri nuk e kemi parë ndonjë ndjeshmëri të veprimit emergjent në këtë drejtim”, ka thënë Latifi.