Latifi kujton dy reporterët hebrenj: Të vetmit që argumentuan masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve në vitin 1912

Filozofi Blerim Latifi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka kujtuar dy hebrenj që ishin reporterë lufte, të cilët sipas tij, ia dëshmuan botës masakrat e serbëve që bënë ndaj shqiptarëve në fillimin e Luftërave Ballkanike.

Latifi tha se “Serbia e Parë” kreu masakra mizore mbi shqiptarët në fillimin e shekullit të kaluar. Sipas tij, në vitin 1912 nga Merdarja e deri në Shkup, nga Mitrovica deri në Prizren, shqiptarët u masakruan nga serbët.

Argumenti i vetëm i shqiptarëve se u masakruan nga serbët në atë kohë, sipas Latifit, janë dy reporterët e luftës Leon Trocki dhe Leo Freundlich.

Tutje, Latifi tha se në mungesë të argumenteve në historinë shqiptare, të rinjtë po indoktrinohen nga ideologji të mbrapshta antishqiptare.

Sipas tij, të rinjtë në Kosovë nuk e kanë idenë se kush ishin miqtë e kush armiqtë e atdheut të tyre.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Latifit:

Në vjeshtën e vitit 1912, kur filloi Lufta Ballkanike, ushtritë serbe, pa ndonjë qendresë serioze, e pushtuan Kosovën. Nga Merdarja deri në Shkup, nga Mitrovica deri në Prizren, ato kryen masakra nga më mizoret mbi shqiptarët. Qëlluan dy hebrenj, reporterë lufte, Leon Trocki dhe Leo Freundlich, të cilët ia dëshmuan botës ato mizori. Edhe sot dëshmitë e tyre janë dëshmitë e vetme që kemi për mijëra shqiptarë të vrarë e qindra fshatra të rrafshuara nga ushtria serbe gjatë asaj vjeshte në gjithë Kosovën. Dëshmitë tona, ndërkaq, janë vetëm disa këngë folklorike, si ajo që tregon invazionin total serb: “Hajmedet çka na ka kanë, na ra shkau në katër anë, n’katër anë hajmedet, s’mund e pritën as deri n’drekë”.

Sot, të rinjtë e Kosovës, shumë prej tyre të indoktrinuar nga ideologji të mbrapshta antishqiptare, nuk ia kanë idenë e përmasave të kësaj tragjedie kombëtare dhe rrjedhimisht as idenë se kush ishin miqtë e kush armiqtë e atdheut të tyre. Një popull që nuk është në gjendje t’ua transmetojë gjeneratave të reja të kaluarën e tij, e ka të vështirë ta ruaj identitetin e tij, sepse, siç thotë historiani i madh britanik, Eric Hobsbaëm, kombi pa të kaluarën është term i pakuptimt.Hiqjani një kombi të kaluarën dhe të jeni të sigurtë se edhe të ardhmen do t’ia shkatërroni. Njëjtë siç merr fund e ardhmja e një individi që ka humbur kujtesën.