Latifi: I propozuari i Gërvallës për ambasador kishte thënë se Adem Jashari është një luftëtar i thjeshtë lokal

Profesori Blerim Latifi ka reaguar pas raportimeve se Idriz Zeqiraj është propozuar për ambassador të Kosovës në Shqipëri.

Latifi në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se Zeqiraj në vitin 2017 ka bërë një shkrim ofendues për Adem Jasharin.

Ai tha se Zeqiraj kishte kërkuar që aeroportit të Prishtinës t’i hiqet emri i Adem Jasharit.

Latifi shtoi se për Zeqirajn Adem Jashari është një luftëtar i thjeshtë lokal.

Krejt në fund ai ka pyetur Qeverinë e Kosovës se ku po i gjejnë këto fundrrina që po i emërojnë nëpër poste shtetërore.

Postimi i plotë:

Idriz Zeqiraj, i propozuari për ambasador të Kosovës, jo më larg se në vitin 2017, paska bërë një shkrim ofendues për Adem Jasharin. Tipi paska kërku që aeroportit të Prishtinës t’i hiqet emri i Adem Jasharit dhe hapur qenka shprehur se “Adem Jashari ka mbingarkesë reale me shtatore, buste, sheshe, rrugë, objekte gjithëfarëshe, madje, edhe të atyre kulturore, që përbën paradoks”.

Por jo vetëm kaq. Për të Adem Jashari është një luftëtar i thjeshtë lokal dhe vlerësimi që i bëhet figurës së tij i tepërt.

Kam një pyetje për qeverinë e Kosovës: Ku i gjeni këto fundrrina dhe i emëroni nëpër poste shtetërore?