Latifi: Është dashtë me i lanë dy ditë vaksinat në aeroport, me mujtë t’gjithë politikanët me bo foto

Analisti politik, Blerim Latifi, njëherësh edhe profesor universitar, ka ironizuar me ceremoninë e organizuar të pranimit të vaksinave ‘Astra Zeneca’, të distribuuara nga Aleanca Gavi COVAX.

Latifi, nëpërmjet ‘Facebook’-ut, ka thënë se kontingjenti i parë i vaksinave është dashur të lihet në Aeroportin e Prishtinës, në mënyrë që të gjithë përfaqësuesit politik të arrinin të realizonin fotografi me to.

“U dashtë nja dy ditë me i lanë vaksinat në aeroport, që me ua bo t’mundur të gjithë politikanëve me shku aty, me bo selfie pranë kontigjentit të vaksinave dhe pastaj me i postu ato në profilet e tyre zyrtare në facebook, me mbishkrimin “Urime Kosovë”. Nuk duhet me i privu nga ajo që dijnë ma se miri me bo: artin e vjedhjes së meritave”, ka shkruar profesori universitar.

Pjesë e kësaj ceremonie ishin ambasadorët e shteteve mike, bashkë me udhëheqës shtetëror të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se duhet të ndërmerren masa të shpejta për parandalim të të infektuarve, derisa ka kërkuar përshpejtim të procesit të vaksinimit.

“Masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që të parandalojnë numrin e infektimeve. Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë. Qeveria jonë, që ju keni zgjedhë, po punon ditë e natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojë sa më shumë vaksina”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se prioritet për vaksinim do jenë punonjësit shëndetësor.

“Vaksinimi fillon këtë javë me prioritet personelin shëndetësor. Ata kanë qenë në vijë të parë të frontit dhe kanë bërë punë të jashtëzakonshme. Qytetarë të nderuar, por futemi në një fazë të rëndë të kësaj pandemie. Respektimin e masave duhet ta bëjmë të gjithë pasi familjarët tonë mund të pësojnë nëse nuk jemi të kujdesshëm”, shtoi ai.