Latifi: Do të vijë një moment kur kryeministri do të detyrohet të nënshkruajë Asociacionin

Profesori universitar Blerim Latifi thotë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti s’mund të shmang temën e Asociacionit. Ai është i bindur se Asociacioni do të themelohet.

Arsyet Latifi i dha në emisionin ‘Pressing’ në T7.

“Unë mendoj se çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serb Kurti është duke e kundërshtuar por nuk mendoj se për një kohë të gjatë ka me mujt me shty edhe me e eleminuar si çështje”, thotë Latifi.

“Nuk do të arrijë për një kohë të gjatë të shmang këtë çështje dhe nuk do të mund ta eliminojë nga tryeza e dialogut Kosovë-Serbi’, shtoi ai.

“Unë mendoj se Kurti në krejt këto procese të dialogut me Serbinë është duke tentuar me gjetë një model se si me zgjidh këtë problem. Me gjet një model të Asociacionit që nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën por ideja se nuk do të ketë fare Asociacion, për mendimin tim është jo realiste për arsye të thjeshtë se kjo nuk është një çështje që po kërkohet vetëm nga Serbia por është një diçka që po insistojnë shumë edhe partnerët e Kosovës, jo vetëm BE por edhe SHBA’ja”, shpjegoi Latifi.

“Ideja se kjo do të lihet anash, të hidhet në koshin e plehrave për mendimin tim është një ide jorealiste’, tha Latifi.

“Do të vijë një moment kur kryeministri do të jetë i detyruar me firmosë Asociacionin, cilido që është kryeministër”, theksoi Latifi.