Mbrojtësi i Cityt

Laporte kërkon t’i hakmerret Manchester Unitedit për humbjen në sezonin e kaluar

Manchester City u shpall kampion sezonin e kaluar në Premier League me komoditet të jashtëzakonshëm por qendër mbrojtësi i “Citizens”, Aymeric Laporte nuk e ka harruar humbjen që i kishte shkaktuar rivali nga qyteti Manchester United.

“Djajtë e Kuq” ishin rikthyer në pjesën e dytë nga disavantazhi prej dy golave duke triumfuar në fund të takimit 2-3, humbje kjo që i shtyu për një javë festën Manchester Cityt, ndërsa ish lojtari i Athletic Bilbaos nuk e ka harruar shijen e hidhur që i kishte lënë ajo disfatë.

“Gjithmonë ekziston ndenja për revansh kur mposhteni nga një skuadër. Ne jemi gjithmonë të gatshëm dhe duhet ta shfrytëzojmë momentin e mirë nëpër të cilin po kalojmë. Është ndeshje shumë e rëndësishme për dy arsye, sepse është derbi i Manchesterit dhe gjithashtu për arsyen se nëse fitojmë do të krijojmë diferencë të madhe me ta”, nënvizoi Laporte.

Manchester City kryeson me 29 pikë derisa ende nuk është mposhtu pas 11 javëve kampionat, në anën tjetër Manchester United ndodhet në vendin e 7-të me 20 pikë.