Lampard thotë se te Liverpooli nuk duhet të bëhen shumë arrogantë

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard ia ka tërhequr vërejtjen Liverpoolit që mos të bëhet “shumë arrogant”, pas një konfrontimi me Juergen Kloppin gjatë humbjes 5:3 që skuadra e tij e pësoi të mërkurën mbrëma në Anfield.

Te Liverpooli nuk ishin në disponim që të lejojnë Chelsean të prishë festën e prezantimit të trofeut të Premier Leauges. Kishte presion në zonën teknike, ku Klopp dhe Lampard shkëmbyen fjalë pasi Mateo Kovaçiq ndërhyri nga prapa në Sadio Manen, për të ndalë një depërtim të senegalezit.

“Për mua, nuk ishte faul i Kovaçiqit. Shumë gjëra nuk kanë shkuar si duhet për ne. Por unë nuk kam probleme me Juergen Kloppin. Mënyra se si ai ka menaxhuar këtë ekip ishte fantastike. Liverpooli ka fituar ligën, por nuk duhet të jetë shumë arrogant për këtë. Ky ishte mendimi im, por ka përfunduar. Në ndeshje ju mund të jeni emocional dhe kështu ndodhi”, ka thënë Lampard.