Lampard shpreson që Hazard të mos luajë ndaj Derbyt

Trajneri i Derby Countyt, Frank Lampard mendon se me formën aktuale Eden Hazard është lojtari më i mirë në botë teksa shpreson që belgu të kërkojë pushim për ndeshjen e nesërme në EFL Cup.

Hazard ka shënuar 8 gola në 11 paraqitje në të gjitha kompeticionet përpara se të mbetej jashtë ndeshjeve ndaj BATE Borisov në Europa League dhe kundër Burnley në Premier League të dielën e kaluar.

Lampard e viziton ish skuadrën e tij tashmë si trajner, ndërsa pritet me interes kjo sfidë edhe për faktin se Burnley eliminoi Manchester Unitedin në “Old Trafford”.

“Me formën momentale Hazard është lojtari më i mirë në botë. Sigurisht se kjo mund të ndryshojë por unë e pëlqej ta shoh teksa luan. Ai është absolutisht një talent i jashtëzakonshëm. Le të shpresojmë se do të kërkojë pushim ndaj nesh. Mendoj se ai është i frikësuar të përballet me skuadrën time”, theksoi Lampard.

Starti i sezonit pa humbje pas 10 ndeshjeve në Premier League e ka bërë Chelsean të konsiderohet një prej favoritëve për të triumfuar në fund së bashku me Manchester Cityn dhe Liverpoolin. Lampard ka mbetur i impresionuar me lojën që e aplikon trajneri i “The Blues”, Maurizio Sarri.

“Unë kam punuar shumë për të ndryshuar gjërat këtu te Derby. Dhe Sarri e ka bërë të njejtën gjë te Chelsea, ai është impresionues dhe e shoh skuadrën e tij kandidat për të fituar Premier Leaguen”, tha Lampard.