LAJMI I FUNDIT: Zbulohet personi që përgjoi Dardan Nuhiun dhe të tjerët, thuhet së është biznesmen i dyshimtë!

Halit Sahitaj, një biznesmen nga Kosova i dyshuar nga AKI-ja për lidhje me Shërbimin Sekret të Rusisë, është personi që incizoi në mënyrë të paautorizuar njerëzit e sistemit të inteligjencës dhe drejtësisë së vendit, ka mësuar Gazeta Insajderi bazuar në burime jozyrtare.

Njeriu, i cili ka incizuar shefin e Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe gjyqtarë dhe prokurorë nga sistemi i drejtësisë së Kosovës, është përmendur sot nga kryeredaktori i Gazetës Insajderi, Vehbi Kajtazi, në një përgjigje me shkrim për portalin “Kallxo.com”.

Por, një pjesë të këtyre përgjigjeve nuk i ka transmetuar portali i drejtuar nga Jeta Xharra dhe i financuar një kohë nga Haki Abazi, deputeti dhe ish-zëvendësi i kryeministrit Albin Kurtit në qeverinë ‘Kurti 1’.

Për këtë arsye, Gazeta Insajderi sjell të plotë intervistën dhe po ashtu profilin e njeriut që dyshohet të ketë incizuar njerëz të inteligjencës dhe të drejtësisë së shtetit.

Në artikullin e publikuar nga portali “Kallxo.com” të mërkurën, nuk është transmetuar e plotë deklarata e kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, përfshirë informatat e tij mbi Halit Sahitajn, i cili sipas burimeve të gazetës, është personazhi i përgjimeve të publikuara në portalin “Shqip.com”.

Po ashtu, portali “Kallxo.com” ka cenzuruar një pjesë të intervistës së kryeredaktorit të Insajderit, në të cilën ai flet për njerëzit që drejtojnë portalin që ka publikuar përgjimet që synojnë komprometimin e figurave të shtetit.

“Portali “Shqip.com”, i cili ka publikuar përgjimet e krijuara nga i dyshuari si spiun rus, Halit Sahitaj, është krijuar nga Ardian dhe Florim Alaj, persona të akuzuar dhe në kërkim të cilët kanë sulmuar dhe e kanë marrë në kontroll domenin e Gazetës Insajderi, Insajderi.com”, shkruan Insajderi.org.

Për këtë veprimtari ilegale, ka një aktakuzë dhe dy vendime të formës së prerë të gjykatave që obligojnë të akuzuarit ta kthejnë domenin. Deri tash organet e shteti nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim për t’i detyruar të akuzuarit që t’i zbatojnë vendimet e gjykatës.

Kush është Halit Sahitaj, i dyshuari për lidhje me Shërbimin Sekret të Rusisë?

Halit Sahitaj është një biznesmen nga Kosova me aktivitete biznesore në Rusi dhe Kinë. Ai posedon pasaportë të Republikës së Serbisë dhe i dyshuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) si spiun i Rusisë në Kosovë.

Disa kohë më parë, Halitaj ka qenë nën vëzhgimin e AKI-së mbi dyshimet për aktivitete kriminale si spiunazhi dhe pastrimi i parave, bazuar në një dokumentar të publikuar nga emisioni hulumtues InDoks dy vjet më parë.

Njeriu i dyshuar për lidhjet me Shërbimin Sekret të Rusisë, ishte shfaqur papritur në një fotografi në shoqërinë e dy njerëzve të Partisë Demokratike të Kosovës: Kadri Veselit dhe Sami Lushtakut, si dhe Ismet Osmanit – Currit, një prej figurave më të mistershme të botës së biznesit, i dyshuar edhe si mafioz.

Fotografia kishte marrë vëmendje të madhe mediatike kur ishte publikuar para dy vitesh.

I kontaktuar nga emisioni dokumentar InDoks më 2019, Halitaj kishte komentuar mbi dyshimet e ngritura të AKI-së ndaj tij për spiunazh dhe aktivitete të tjera të dyshuara kriminale të tij. Kishte komentuar edhe mbi pasaportën serbe të tij, si dhe fotografinë e ‘famshme’ ku shfaqej përkrah Kadri Veselit e ‘Currit’.

Halitaj kishte zbuluar se fotografia ishte shkrepur diku në Mitrovicë, dhe ishte aty me një familjar të tij që i tha se po “dalim në fotografi me disa njerëz të rëndësishëm”, por ai kishte mohuar t’i njihte personalisht Currin, Veselin e Lushtakun.

Ndërkaq për posedimin e pasaportës së Republikës së Serbisë, ai i kishte thënë InDoks-it se “pasoshin serb e mbaj se Spanja, ku unë jetoj, nuk e njeh Kosovën”.

“E mbaj veç për ta mbajtur leje-qëndrimin”, kishte thënë ai.

Veprimtaria biznesore e Halitaj ndërlidhet shumë pak me Kosovën. Ai është një sipërmarrës me ndikim në Rusi, ku merret me biznesin e produkteve të naftës. Me disa karburante që përdoren në aeroplanë.

Ai e ka pranuar që vjen nga një familje e varfër, por në botën e biznesit e kishte futur gruaja e tij ruse.

I dyshuar nga AKI-ja si spiun rus, por ai nuk e kishte mohuar faktin se njihet me oligrakë të fuqishëm rusë të rrethit të ngushtë të presidentit Vladimir Putin.

“Po i njohë oligarkët rusë. Edhe ata që rrinë me Putinin”, kishte deklaruar Sahitaj .

Sahitaj është partner biznesi me tre oligark rusë: Iskander Makhmudov, njërin nga 22 njerëzit më të pasur në Rusi, që ka hise të madhe në sistemin e hekurudhave ruse, Suleyman Abusaidovich Kerimov nga Dagestani, i cili në vitin 2018 është futur nën sanksione nga ShBA-të dhe Roman Abramovich, një bilioner izraelito-rus, që është pronar i klubit të futbollit “Çellsi”.

Shërbimet inteligjente të disa vendeve perëndimore, siç kishte raportuar InDoks, kishin ngritur dyshime ndaj Halitajt se ai merret me transportim të kemikateve, e që mund të jenë vdekjeprurëse sikurse në rastin e një agjenti rus FSB në Londër.

Halitaj, për InDoks kishte thënë se nuk ka dëgjuar për këto pretendime.

Intervistën e plotë për InDoks mund ta lexoni në Insajderi.