LAJMI I FUNDIT: SHBA do të kthejë në Kosovë për rishikim dy afganë, dyshohet se kanë lidhje me talibanët

Rreth 100 afganë të cilët janë evakuuar në SHBA dyshohen për lidhje të mundshme me talibanët ose grupet terroriste.

Kështu ka raportuar me burime mediumi prestigjioz amerikan ‘NBC’, derisa ka bërë me dije se shqyrtimi i të paktën dy prej atyre afganëve ka zbuluar informacione mjaftueshëm aq sa SHBA planifikon t’i dërgojë ata në Kosovë për shqyrtim të mëtejshëm.

Tutje, ata raportojnë me burime se çdo afgan tjetër që shkakton shqetësime të ngjashme gjithashtu do të dërgohet në Kosovë.

Burimet e këtij mediumi paralajmërojnë se vetëm për shkak se një person është shënjuar nga SHBA’ja nuk do të thotë se është terrorist ose paraqet kërcënim.

Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së dhe NATO-s. Deri më tani në Kosovë janë strehuar rreth 500 afganë.

Lajmi vjen një ditë pas zhvillimit të një bisede telefonike të presidentes Vjosa Osmani me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris. Në këtë bisedë, përveç tjerash, Osmani ka paralajmëruar se ka biseduar për çështjen e strehimit të afganëve.

“Nënpresidentja Harris theksoi se SHBA-ja është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidentit.