Lajmi i fundit: Prova dhe arrestime të reja, në rastin e vrasjes misterioze të 24 vjeçares Donjeta Pajazitaj

Në vitin 2015 në një fshat të komunës së Deçanit në Kosovë, kishte ndodhur një nga vrasjet më misterioze të pasluftës.

Një vajzë e re, Donjeta Pajazitaj, ishte zhdukur një ditë derisa po shkonte në punë. Kaluan javë të tëra dhe ajo nuk gjendej, derisa në bjeshkët e fshatit Strellc të Deçanit u gjetën mbetje të një trupi.

Pasi u lajmërua policia dhe u bë ekspertiza, u kuptua se mbetjet ishin të vajzës 24 vjeçare që po mungonte prej javësh.

Këtu do fillonte edhe saga gjyqësore e cila ende vazhdon.

Rasti është trajtuar nga të gjitha shkallët gjyqësore në Kosovë dhe janë marrë vendime kontradiktore në shkallë të ndryshme. Personi që u shpallë i pafajshëm më vonë u dënua me burgim të përjetshëm dhe më pas u kthye në rigjykim përsëri.

Tash, gjashtë vjet pas fillimit të gjykimit, prokuroria ka zbuluar prova të reja dhe të implikuar të tjerë që mund t’ia ndryshojnë rrjedhën e këtij rasti përsëri.

Shkoi në seancë si dëshmitar, por doli i prangosur
Haki Pajazitaj, kryeplaku i fshatit Strellc u paraburgos, me urdhër të prokurores për veprën penale “Deklarim i rrejshëm”, pas seancës së mbajtur të hënën gjatë ditës.

Kjo pasi që Pajazitaj ishte ftuar nga Prokuroria për të dëshmuar si dëshmitar, në seancën e radhës, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, rreth letrave në formë anonime të dërguara në adresa të ndryshme brenda familjes dhe më gjerë, me disa “pretendime” rreth motivit të vrasjes së Donjeta Pajazitaj, nga i dyshuari tashmë i paraburgosur Naser Pajazitaj, në nëntor të vitit 2015.

Prokurorja e rastit Valbona Dishaj Haxhosaj e konfirmoi arrestimin e Hakiut për Albanian Post, duke thënë se detaje më të hollësishme rreth këtij zhvillimi do të nxjerrin në komunikatën për medie, e cila pritet të publikohet të martën.

Kush dhe pse i dërgonte letrat anonime?
Pa adresë dhe pa emër, erdhi një zarf në shtëpi të babait të Donjeta Pajazitajt, Halilit.

Po kaq e pazakontë ishte edhe letra brenda këtij zarfi.

“Halil, Isnia masi e ka lanë shtatzanë Donjetën, mos me marrë vesh gruaja e vet, ja ka dhanë Naserit 5000 euro dhe ai e ka vra”, thuhej në një letër, e shkruar me shkrim dore dhe me shumë gabime.

Dërguesi ishte anonim, por rreshti i fundit i letres së shkurtër mundësoi një pistë të vogël hetimi, për të zbuluar dërguesin.

“Se unë jam tezak me ta e dimë këtë punë”, thoshte letra.

Ndërsa në zarfin e dërguar me postë, bashkë me një pullë postare, janë shkruar vetëm të dhënat e pranuesit, dhe adresa e banimit.

Letra anonime me shkrime të ngjashme u dërguan edhe në disa adresa brenda familjes.

“Alberim rasti i Donjeta Pajazitaj asht Hysni Pajazitaj ka kalu me Donjeten e ka lanë shtatzan kur e ka mar vesh që o shtatzëne mos me mar vesh gruja ti e ka pagu Naserin 5000E e Naseri e ka vra”.

Hysni Pajaziti i cili përmendet në letrat e postierit misterioz është djali i vëllait të Naser Pajazitajt. Një burrë i martuar rreth të 40-tave, baba i tre fëmijëve.

Edhe në shtëpinë ku kishte jetuar familja Pajaziti, bashkë me Donjetën, deri pak javë pas vrasjes së Donjetës në nëntor të vitit 2015, në fshatin Strellc ka shkuar një letër.

Gjithashtu, letra ishte dërguar edhe në një emision në televizionin publik “Betimi për Drejtësi” – emision që merret me procese gjyqësore në Kosovë.

“I nderuari Betim rasti i vrasjes se Donjeta Pajazitaj nga Strellci i cili u gjykua si i pafajshëm fajtori është fjala se janë dhanë 600.000 e te cilat i kam marr gjykatësi Syle Lokaj, prokurori Ardian Hajdari dhe avokati Gëzim Kollqaku”, thotë letra.

Po kaq anonime, një letër ka shkuar edhe në adresë të Prokurores së rastit Valbona Dishaj Haxhosaj, përmbajtja e së cilës nuk dihet, sepse prokurorja nuk ka dashur të flas për të.

Lidhur me provat e reja, Albanian Post ka kontaktuar me prokuroren e rastit Dishaj Haxhosaj, e cila u shpreh se as atëherë nuk kanë pasur mundësi të vërtetojnë nëse viktima Donjeta Pajazitaj ishte shtatzënë apo jo, për shkak se kufoma e sajë ka qëndruar për shtatë javë në ambient të hapur.

“Unë kam thënë se nuk kemi pas mundësi me vërtetu faktin e shtatzënisë, sepse organet kanë qenë te qullosura”, ka thënë Dishaj-Haxhosaj për Albanian Post.

“Shtatë javë në ambient të hapur. Nuk ka diçka të re”.

Prokuroria themelore në Pejë në krye me prokuroren Valbona Dishaj Haxhosaj i është vënë pas dërguesit “anonim” të letrave dhe kanë zbuluar se njeriu i letrave është Haki Pajazitaj, pleqnari i fshatit Strellc i Ulët në Deçan.

Në intervistën e parë në polici Haki Pajazitaj e ka mohuar të ketë dërguar këto letra, por pas sigurimit të pamjeve nga kamerat e pikës postare në Deçan, nga ku janë shpërndarë letrat “anonime”, ai ka deklaruar se ai i ka dërguar vetë këto letra.

Ky është intervistimi pa ndërhyrje i Haki Pajazitajt nga policia
Polici: Me datën 29.01.2019 në ora 13 ju kishim ftuar në Polici për një bisedë lidhur me letrat në fjalë, mirë po qëndrimi juaj ishte se nuk kishit njohuri për to. Pse keni vendosur të deklaroni që keni njohuri rreth këtyre letrave?

Haki Pajazitaj: Fillimisht kam mendu që nuk është e rëndësishme kjo punë, mirë po më vonë ndërrova mendjen dhe vendosa të deklaroj që i kam prekur.

Polici: A jeni në dijeni se kush i ka vendosur ato në veturën tuaj?

Haki Pajazitaj: Jo nuk jam në dijeni.

Polici: Pse mendoni që i kanë vendosur në veturën tuaj, e jo diku tjetër?

Haki Pajazitaj: Nuk jam në dijeni.

Polici: Pse ju keni vendos që ato letra me i dorëzu me postë?

Haki Pajazitaj: Për shkak se kam pas dëshirë që ato me shku në distanconin për ku ishin të caktuara.

Polici: A i keni dorëzuar ju personalisht zarfet dhe a janë të dorëzuara të gjitha në të njëjtën ditë?

Haki Pajazitaj: Po unë i kam dorëzuar personalisht, por jo në të njëjtën ditë, fillimisht i kam dorëzuar zarfet në Pejë pasdite, ndërsa në Deçan pas dy apo tre ditësh, i kam ble dhe i kam vendosur pullën postare.

Polici: Një punëtor në postë ka deklaruar që zarfin në Deçan është dorëzua nga një person tjetër, a jeni në dijeni?

Haki Pajazitaj: Unë e kam dorëzu zarfin edhe pikë.

Polici: Çka mendoni për përmbajtjen e këtyre teksteve në këto letra, që keni deklaruar se i keni lexuar?

Haki Pajazitaj: Unë mendoj se përmbajtja e këtyre teksteve nuk është asgjë, përveç që e komplikon situatën sa i përket mendimit tim, ato letra nuk kanë ndonjë peshë.

Këto letra tashmë janë bërë pjesë e procesit për rastin e Donjeta Pajazitajt, i cili po zhvillohet nga fillimi në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Prokuroria ka bërë ekzaminimin e dorëshkrimit të tyre dhe njëkohësisht ka obliguar Haki Pajazitajn që të shkruaj në disa forma, në pozitën ulur në tavolinë, në pozitën në këmbë me letra në tavolinë, në këmbë me letër të vendosur në mur, të klasifikuara si Dëshmia 1, 2, 3 dhe 4 të cilat më pas janë krahasuar me dëshmitë #Z1 dhe #Z2 (zarfet e dërguara me postë).

Ekspertiza ka konstatuar se “nga ekzaminimi i shkrimit në fletën e vendosur në zarf nga dëshmia #Z1 dhe mostrat eksperimentale të shkrimit nga dëshmitë #DSH1 #DSH2 #DSH3 dhe #DSH4, janë identifikuar karakteristika të përgjithshme dhe individuale që përputhen në mes vete”.

Karakteristikat që përputhen janë: teknika dhe shtrirja e shkrimit, raportet e shkronjave në mes vete, shkrimi i disa shkronjave si dhe raporti i shkronjave në mes vete.

Saga gjyqësore ndaj Naser Pajazitajt
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor të vitit 2017 nga prokuroria Themelore në Pejë, departamenti i krimeve të rënda, me prokurore të rastit Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj u akuzua se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna Deçan, pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, me dashje dhe me revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Në ditën kritike viktima ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, atypari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip Sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Rreth shtatë javë më vonë, më 27 dhjetor të po atij viti, trupi i pa jetë i Donjeta Pajazitajt është gjetur nga kalimtarë të rastit.

Në mars të vitit 2018 Naser Pajazitaj u shpall i pa fajshëm nga Gjykata Themelore në Pejë, në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015, ndërsa, e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër “armëmbajtje pa leje”.

Pas ankesave rasti kaloi në gjykim në shkallën e dytë.

Gjykata e Apelit e riktheu rastin në rigjykim.

Pas shqyrtimit të provave të reja, Gjykata Themelore në Pejë e dënon Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm më 25 marsit të vitit 2019.

Edhe këtu pati ankesa, dhe rasti kaloi në Gjykatën e shkallës së dytë e cila e konfirmoi vendimin e shkallës së parë, duke e lënë të plotfuqishëm dënimin me burgim të përjetshëm për Naser Pajazitajn.

Pas ankesave të palës mbrojtëse, rasti ka shkuar në shkallën e tretë, në Gjykatën Supreme.

Më 2 dhjetor të vitit 2019, kjo gjykatë e hedh poshtë të gjithë procesin gjyqësore, duke kërkuar që rasti të rikthehet në rigjykim, me arsyetimin se gjykatat e mëparshme kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Pas këtij vendimi Gjykata Themelore në Pejë është përjashtuar nga gjykimi i këtij rasti. Lumturie Muhaxheri njëra nga gjyqtaret e trupit gjykues kishte bërë kërkesë për heqje të kësaj lënde nga gjykata e Pejës, me arsyetimin se në këtë rast janë përfshirë të gjithë gjyqtarët nga Departamenti i Krimeve të rënda, dhe kanë kërkuar që rast të trajtohet në një gjykatë tjetër.

Me vendim të Gjykatës së Apelit, rasti është dërguar në gjykatën Themelore në Ferizaj.

Për herë të tretë, rasti i Donjeta Pajazitajt gjykohet nga një gjykatë e shkallës së parë.

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt, procesi filloi në janar të vitit 2020.

Aktualisht në këtë proces janë duke u intervistuar disa dëshmitarë.

Pjesë e këtyre zhvillimeve brenda këtij institucioni janë bërë tani edhe letrat anonime.

Në gjithë këtë proces Prokurorja e rastit ka mbetur e njëjta.

I dyshuari kryesor për vrasje të 24 vjeçares nga Strellci, Donjeta Pajazitajt, Naser Pajazitaj rreth 65 vjeçar, aktualisht gjendet në paraburgim.

Deri në përfundim të procesit gjyqësor dhe verdiktit final për këtë rast.