Një punëtor i sigurimit fizik të kompanisë të cilën e ka kontraktuar New Co Ferronikeli, ka ndërruar jetë duke dalur nga vendi i punës.

Vdekja dyshohet se ka ardhur nga shkaqe natyrore, si pasojë e një ataku, shkruan Ballkani.info.

Lajmin e ka konfirmuar për Ballkani.info, zëdhënësi i kompanisë “New Co Ferronikeli”, Shpend Gudaqi.

“Lidhur me interesimin tuaj, ju konfirmojmë se sot një punëtor i kompanisë së sigurimit fizik që është e kontraktuar nga NewCo Ferronikeli për shërbime të sigurisë, pas perfundimit të orarit të punës në dalje e sipër nga kompleksi, ka ndërruar jetë.

Vdekja dyshohet të ketë qenë natyrore si pasojë e një komplikimi akut shëndetësor. Ekipi kujdestar mjekësor i kompanisë sonë ndërhyri menjëherë për ndihmë emergjente, por, për fat të keq, i ndjeri ishte pa shenja jete.

Kompania jonë ka informuar organet kompetente për rastin, të cilat kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

NewCo Ferronikeli shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij në kompaninë ku shërbente.

Faleminderit!”

Tha Gudaqi për Ballkani.info.