Lajmi i Fundit: Këto janë 17 marrëveshjet që i nënshkruajnë sot Rusia dhe Serbia

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në vizitën e sotme në Serbi do të diskutojë më së shumti për thellimin e bashkëpunimin me këtë shtet fqinj, të cilin e konsideron partner strategjik në Ballkan.

Mediat ruse kanë bërë publike edhe agjendën e presidentit rus në Serbi, vizitë kjo që i është dhënë shumë bujë nga lidershipi serb, transmeton Ballkani.info.

Bazuar në këtë agjendë, bashkëpunimi ekonomik do të jetë temë kryesore e diskutimit mes presidentit rus dhe lidershipit serb, me theks të veçantë sektori i energjisë, korridori jugor i gazit, ku Serbia importon rreth 61% naftë dhe gaz nga Rusia apo rreth 1 miliard euro.

Ballkani.info ka siguruar edhe listën e marrëveshjeve që priten të nënshkruhen:

1. Plani konsultativ mes dy ministrive të punëve të jashtme të Rusisë dhe Serbisë për vitin 2019-2020;
2. Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e energjisë nukleare për përdorim paqësore për testime të teknologjive inovative;
3. Deklarata e përbashkët në realizimin e projektit të ndërtimit të Qendrës Rajonale për Teknologji Nukleare në territorin e Serbisë;
4. Memorandum bashkëpunimi në fushën e inovacionit dhe zhvillimit të teknologjisë ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe fondit “Skolkovo”;
5. Memorandum bashkëpunimi në inovacion dhe sektorin elektromagnetik ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe shoqërisë aksionare “Rosseti”;
6. Memorandum bashkëpunimi në realizimin e projekteve të produkteve të kombinuara të termoelektranave;
7. Marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet Elektroekonomisë së Serbisë dhe “Silovije Makineri” për rekonstruktimin e hidroelektranës “Xherdap-i 2”;
8. Memorandum mirëkuptimi mbi lokalizimin e prodhimeve industriale ruse në territorin e Serbisë;
9. Marrëveshje financiare në vlerë prej 230 milionë euro për projektim dhe rikonstruktim të rrjetit hekurudhor;
10. Memorandum për mirëmbajtje publike të infrastrukturës hekurudhore;
11. Vendim institucional për modernizim të gazsjellësit “Banatski Dvor”;
12. Memorandum bashkëpunimi në fushën e gazit dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta për infrastrukturën shpërndarëse dhe prodhimin e gypave të gazit natyror;
13. Memorandum bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale;
14. Deklaratë e përbashkët e Qeverisë së Federatës Ruse dhe Qeverisë së Serbisë për themelimin e qendrës kulturore-informative;
15. Memorandum për bashkëpunim strategjikë ndërmjet Institutit Shtetëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare të MPJ ruse dhe Universitetit të Beogradit;
16. Memorandum për bashkëpunim strategjik mes Universitetit Shtetëror të Rusisë për naftë dhe gaz dhe Universitetit të Novi Sadit;
17. Memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe KamAZ.

Kësaj vizite të presidentit rus i është dhënë jehonë e madhe në mediat serbe.

Në intervistat për media të presidentit rus dhe atij serb, Putin e konsideron Serbinë partnere strategjike në Ballkan dhe e përkrah neutralitetin ushtarak të Serbisë.

Kurse, Vuçiq në mediat ruse kishte deklaruar se do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Rusisë, veçanërisht për ndikimin e presidentit rus në përdorimin e vetos në Këshill të Sigurimit të OKB-së për bllokimin e rezolutës ku konstatohej se serbët kanë kryer gjenocid ndaj popujve tjerë në Ballkan.

Por, në mediat ruse, ekspertë të marrëdhënieve ruso-serbe jorrallëherë kanë vlerësuar se Serbia kthehet gjithnjë nga Rusia vetëm atëherë kur ka nevojë, sikurse kësaj here për çështjen e Kosovës. Përndryshe, sipas tyre, Serbia bashkëpunon në bazë ditore më perëndimin, duke përjashtuar vetëm mosvendosjen e sanksioneve për federatën ruse. /Ballkani.info/