LAJMI I FUNDIT: ‘Dardafone’ ia merr të gjitha mjetet Telekomit përmes përmbaruesit, Sindikata thotë se u lanë pa paga 3500 punëtorë

Kompania “Dardafone.net” sot përmes përmbaruesit privat urdhëroi Telekomin e Kosovës që t’i transferojë në xhirollogarinë e tyre borxhin me vlerë 26 milionë e 789 mijë e 532 euro e 62 cent, brenda 60 minutash, pas pranimit të këtij urdhri.

“Veprimi dhe guximi i sotëm i Blerim Devollit dhe Ilir Mulhaxhes për terheqjen e komplet mjeteve nga xhirollogaria e Telekomit është i mjerë dhe qyqar. Sot, praktikisht kanë mbetë pa paga 3500 punëtorë me familjet e tyre, si dhe është rrezikuar në thelb siguria kombëtare e komunikimit. Një gjë mund t’ju sigurojmë se, kurrë nuk kthehet në Telekom Z-Mobile edhe nëse shteti ju është dorëzuar Dardafonit. Ne së bashku me juve miq dhe punëtorë, nuk do të dorëzohemi”, ka shkruar në Facebook, Lamih Balaj, kryetari i Sindikatës së Telekomit.

Kujtojmë që Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (FSP-PTK), ka paralajmëruar se të enjten me fillim nga ora 13:00 do të fillojë protesta 24-orëshe para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

“Ju njoftojmë se te enjten me datë.23.07.2020 prej orës 13:00, mbahet protestë 24h tek Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Protesta organizohet nga FSP-PTK në mbrojtje të kompanisë. Do të protestojmë dhe rezistojmë, sepse grupet e errëta dëshirojnë t’i lënë fëmijët tanë pa bukë. Do të protestojmë për t’i treguar këtij shteti se edhe punëtoret e Telekomit janë të Kosovës. Prandaj, bashkohu edhe ti“, thuhet në njoftim.