KPK

LAJMI I FUNDIT | Ardian Hajdaraj zgjidhet kryesues i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi e deritashëm, Jetish Maloku, ka mbajtur Takimin e 241-të sipas agjendës së paraparë.

Fillimisht, pas prezantimit të kandidaturave të anëtarëve të nominuar për pozitën e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të ri, KPK-ja zgjodhi në mënyrë unanime Ardian Hajdarajn, anëtar i KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore në Pejë, në pozitën e Kryesuesit dhe Jehona Grantollin, anëtare e KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në pozitën e Zëvendëskryesueses së Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Rrjedhimisht, Hajdaraj dhe Grantolli janë zgjedhur me mandat dyvjeçar, kurse zgjedhjes së tyre u ka paraprirë hapja e thirrjes publike më 15 janar 2024 për nominimin e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të Këshillit Prokurorial.

Pas marrjes së detyrës se re, Hajdaraj kryesoi pjesën e mbetur të takimit, me ç’rast falënderoi për kontributin dhe përkushtimin e Kryesuesit dhe Zëvendëskryesuesit të derisotëm të Këshillit, Jetish Maloku dhe Veton Shabani, duke theksuar se gjatë mandatit të tyre kanë avancuar proceset gjithëpërfshirëse të veprimtarisë së sistemit prokrurorial. 

Më pastaj, anëtarët e Këshillit, votuan edhe për zgjedhjen e kryesuesve dhe anëtarëve të rinj të Komisioneve të Përhershme të KPK-së, me ç’rast me votim unanim u zgjodhën Jetish Maloku në pozitën e Kryesuesit të Komisionit për Administrimin e Prokurorive dhe Veton Shabani në pozitën e Kryesuesit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.