LAJMI I FUNDIT

LAJMI I FUNDIT: Aksioni i policisë në Podujevë, këta janë dy të dyshuarit për 91 kg drogë

Mbrëmjen e së mërkurës, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion të koduar “Kamera”, i cili rezultoi me konfiskimin e 91 kilogramëve marihuanë dhe arrestimin e një personi, mirëpo edhe tre të tjerë janë në kërkim.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë njoftojnë se i arrestuar është Fehmi Mustafa, ndaj të cilit tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërsa personi tjetër, i cili arriti t’iu ikë Policisë është Mexhait Qerimi.

“Me datë 09 shkurt, në orët e mbrëmjes, në Podujevë, i pandehuri F.M., (me të bashkëpandehurin M.Q., i cili është në arrati), në cilësi të bashkëkryerësve së bashku me dy persona të tjerë, pa autorizim kanë shpërndarë dhe transportuar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge me qëllim të shitjes, shpërndarjes dhe ofrimit për shitje, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri i M.Q., ka komunikuar me telefon me të pandehurin F.M., në automjetin e tij Audi me targa të Gjermanisë, ka ngarkuar substancën narkotike të llojit “Marihuanë” në sasi të madhe me peshë prej 91 kilogram e 548 gram, dhe është nisur në drejtim të fshatit Konushefc të Komunës së Podujevës, dhe me të ardhur në atë fshat ka hyrë në shtëpinë e të pandehurit F.M., ku i ka nxjerrë çantat në të cilat e kishte vendosur sasinë e marihuanës për ta vendosur në autobusin e linjës së rregullt Kosovë-Austri pronë e të pandehurit F.M., pastaj sërish këto çanta me “Marihuanë” i vendos në automjetin e tij dhe niset në drejtim të Podujevës, kështu i pandehuri F.M., me automjetin e tij të tipit Golf me targa të Austrisë, ia siguron rrugën, i pandehuri M.Q., në momentin kur i vëren zyrtarët policor fillimisht përdor forcë duke e goditur me automjetin e tij veturën zyrtare të policisë, me rastin e kthimit mbrapa me automjet e godet zyrtarin policor dhe përdor armë zjarri duke shtënë në drejtim të zyrtarëve policor“, thuhet në komunikatë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.