Lajm i rremë: Qysh u dezinformua se Vlora Hyseni e ShISH qëndroi 10 ditë në Serbi?

Një lajm i rremë e i rrezikshëm është shpërndarë sot. Çka thuhet në të?

Zakonisht, gjatë zhvillimeve dramatike depërtojnë edhe lajme të rreme që provojnë të ndikojnë në mënyrën se si perceptohen ato zhvillime.

Një i tillë doli edhe sot, dhe që u shpërnda edhe nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

“Vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, kërcënim për sigurinë e Kosovës, Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s.” – shkroi ai, duke e dhënë lajmin në fjalë.

Raportimi në fjalë është bërë nga gazeta Pamfleti, që shkroi“Vlora Hyseni e SHISH, prej 10 ditësh në Serbi: A janë në dijeni institucionet kushtetuese?!”

Ky lajm ishte botuar më 29 maj.

Aty thuhej që drejtoresha e Shërbimit Inteligjent Shqiptar ishte për dhjetë ditë në Beograd.

“Pasi zyrtarë të SHISH e agjenci të tjera, zbuluan udhëtimin e saj drejt shtetit që kryeministri Edi Rama e ka destinacion të preferuar, për shkak të lidhjeve “vëllazërore” me Aleksandër Vuçiç, inspektorja e qeverisë në SHISH, Suela Bedeni, tha se ka shkuar për “kontakte profesionale”” – shkruan Pamfleti.

Ashtu siç shkruan Top-Channel, e siç ka marrë vesh edhe Nacionale, znj. Vlora Hyseni nuk ndodhej në Serbi, e aq më pak në vizitë sekrete.

Cili ishte qëllimi?

Për më keq, Hyseni akuzohet se sa ishte në pozitën e zv. drejtoreshës së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) kishte bërë “arratisje misterioze” në Serbi, Bosnje, Maqedoni, Turqi e Gjeorgji.

Në këtë sajt u vërejt edhe një lajm tjetër kundër znj. Hyseni, që e lidh atë me BIA-n serbe.

Më 22 maj, znj. Vlora Hyseni u pa në daljen parë publike në një ngjarje për Defender 23.

Ajo aty kishte folur me kryeministrin Rama, presidentin Begaj e edhe ambasadoren Yuri Kim.