Lajm i mirë: Nëna dhe djali nga Kosova ishin në gjendje të rëndë nga koronavirusi, sot janë shëruar

Pulmologu Shpëtim Thaçi ka ndarë në llogarinë e tij në Facebook historinë e mjekimit të një nëne dhe djalit të saj, të cilit ishin të infektuar me koronavirus.

Thaçi ka publikuar një fotografi të tyre, derisa ka njoftuar se që të dy tashmë janë mirë dhe në shtëpi.

Ai ka treguar se gjersa ishin duke u trajtuar në Klinkën e Pulmologjisë ishin me oksigjenoterpi dhe në gjendje të rëndë, por se tani janë shëruar.

“Ky virus është i pa mëshirshëm, ju lutem mbani distancen dhe vendosni maskat .Foto është postuar me leje të pacienteve me qëllim të vetëdijësimit të qytetarëve”, ka shkruar ai.

Kosova po përballet me shtim të rasteve me Covid-19 prej lehtësimit të masave. Mbrëmë u raportuan 207 raste të reja me këtë sëmundje. Numri total i të prekurve është 4307, ndërsa 2095 persona janë shëruar dhe 94 kanë ndërruar jetë.

IKSHPK kërkon që të respektohen masat e mbajtjes së distancës dhe mbajtjës së maskës që të kalohet sa më shpejt kriza me pandeminë.