LAJM I MADH: Liverpool vihet pas Milot Rashicës

Milot Rashica po kërkohet nga Liverpool. Ky është lajmi kryesor në sportin e gazetës së madhe gjermane, Bild.

Në një sezon aspak të mirë të Werder Bremen, Milot Rashica është pika e vetme që po shëndritë.

23 vjeçari ka mbyllur pjesën e parë të sezonit me shtatë gola dhe tre asistime, duke mbajtur gjallë shpresat për qëndrim në Bundesligë te Werder Bremen.

Këto paraqitje të kosovarit, nuk kanë mundur të mos tërheqin vëmendjen e klubeve të mëdha të Evropës.

Sipas informacioneve që ka siguruar BILD, trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp po mendon për transferimin e Rashicës, i cili gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë nën vëzhgimin e trajnerit të skuadrës kampione të Evropës.

Në Gjermani është zbuluar se Rashica ka një klauzolë lirimi prej 38 milionë euro për skuadrat jashtë Bundesligës, shumë kjo që nuk do të paraqiste problem për Liverpool.

Por, një treshe ofensive me Mohamed Salah, Robert Firmino dhe Sadio Mane, vështirë që do t’i linte hapësira Rashica për pozitën e titullarit te skuadra nga ‘Anfield Road’.