I ashtuquajturi “çmilitarizimi” dhe “denazifikimi” i Ukrainës, që po e quan Rusia, do të jetë i vështirë dhe mund të zgjasë nga pesë deri në dhjetë vjet ka thënë ish-komandant i Forcave Ajrore Vladimir Shamanov.

Shamanov ka dhënë lajme të këqija për presidentin autoritar të Rusisë, Vladimir Putin, në lidhje me pushtimin e Ukrainës.Shamanov, duke vazhduar retorikën e ekstremistëve të Moskës, vazhdon ta konsideron se lufta e nisur në Ukrainë ka qëllim largimin e “nazistëve nga pushteti”, por ironia është se vetë presidenti i Ukrainës, Vlodomir Zelensky është me prejardhje hebre që nazistët në luftën e dytë botërore kishin plan t’i shfarosnin, shkruajnë mediat e pavarura ruse.

Shamanov përmendi edhe gabimet e ushtrisë ruse, shtetit që tashmë ka iniciativë për ta shpallur terrorist.

“Gabimi i madh i ushtrisë ruse ishte të mendonte se ukrainasit do t’i takonin me lule”.

“Ata që prisnin se do të na takonin me lule… Epo, ky është një nga gabimet kryesore që ne e ndjemë shumë në pesë ditët e para. Sot duket se tashmë e kemi tejkaluar këtë komponent, por ka ende shumë për të bërë”, tha ai.

Gjenerali e quajti çështjen e së ardhmes së Ukrainës pas “operacionit special” si më të vështirën për t’u parashikuar.

“Nuk e dimë mendësinë e popullatës, çfarë do të jetë. Ne nuk e dimë se si do të zhvillohen marrëdhëniet tona me shtetet fqinje, të cilat në njëfarë mënyre do të përpiqen të ndikojnë në praninë e tyre”, tha Shamanov.

Në listën e këtyre vendeve, ai përmendi Poloninë, shtetet baltike dhe Rumaninë.

Kujtojmë se Rusia ka humbur mijëra ushtarë në Ukrainë, që sipas shërbimeve britanike dhe amerikane, ky numër shkon në 30 mijë.

Po ashtu mijëra pajisje të blinduara ushtarake Rusisë i janë shkatërruar në Ukrainë.

Lufta e Putinit në Ukrainë tashmë ka ngecur në shumë rajone, ndërsa zyrtarët e ushtrisë ruse kanë deklaruar se “kanë ulur intensitetin e luftës për shkak të civilëve që të evakuohen”.