Lajçak vizitoi Kosovën dy herë brenda një jave, BE: Çështjet e vështira politike duhet të trajtohen më shpejtë tani

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano e cilëson si “pjesë të punës” së rregullt, vizitën e paparalajmëruar të përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajҫak, të enjten në Prishtinë.

“Është pjesë e punës së Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak të udhëtojë dhe të takojë partnerë në rajon, si dhe në BE dhe më gjerë. Ne nuk njoftojmë domosdo dhe nuk komentojmë çdo takim pune apo ndërveprim të tij me partnerët në rajon. Këto vizita pune, njësoj si ajo e djeshme në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të Dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse të normalizimit dhe për çështje aktuale që kanë të bëjnë me dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Stano në një prononcim me shkrim.

Brenda një jave, Miroslav Lajҫak, dy herë vizitoi Prishtinën.

Vizita e parë, e bërë më 9 shtator, u zhvillua bashkë më këshilltarët e presidentit francez dhe kancelarit gjerman, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, vetëm pak ditë pasi që shefat e tyre. Olaf Scholtz dhe Emmanuel Macron, konfirmuan se këta dy diplomat do mbështesin ekipin e Lajҫakut në procesin e bisedave mbi normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Treshja evropiane në Prishtinë dhe Beograd zhvilloi biseda me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin si dhe presidentin e Serbisë, Alekandar Vuҫiq. Sipas zëdhënësit Peter Stano, bisedat me bashkëbiseduesit zgjatë për më shumë se dy orë. Kjo vizitë, pohon Peter Stano, u zhvillua në dritën e situatës së përgjithshme aktuale të sigurisë në Evropë dhe në veçanti tensionet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vizita përcolli mesazhin e qartë se çështjet e vështira politike në lidhje me rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës duhet të trajtohen në një mënyrë më vendosur dhe më të shpejtë tani, në mënyrë që të mos ketë vend për përshkallëzim në terren”, ka porositur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano./RTK