Lajçak ia jep “shqelmin e fundit” kauzës së VV-së për Zajednicë: Pa Asociacion, s’ka marrëveshje

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se themelimi i Zajednicës është qenësor për marrëveshjen evropiane dhe se pa të s’ka marrëveshje.

Lajçak, në një intervistë për RTS-në, ka përsëritur disa herë se duhet të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe ka theksuar se “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje”.

Qëllimi, thotë Lajçak, nuk është që dikush të fitojë apo të humbasë. “Qëllimi është të kërkojmë një situatë të favorshme dhe të hapim derën evropiane”, theksoi emisari evropian.

Në takimin në Ohër, vijon ai, synohet të arrihet një marrëveshje që ka një mbështetje të tillë nga BE-ja që, siç theksoi, nuk e kujton më të kaluarën.

Miroslav Lajçak që nga dje ndodhet në Beograd. Ai sot po vazhdon bisedimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.