Lajçak dhe Palmer në Kosovë nga nesër, diplomati amerikan takohet edhe me opozitën

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Matthew Palmer, përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit Shtetëror të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, nesër do të jenë në Kosovë për vizitë dy ditore.

Në agjendën e publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë nuk bëhet e ditur nëse emisari evropian për dialogun do të takohet me përfaqësues të partive opozitare.

Në agjendën e takimeve të Lajçak në Prishtinë figurojnë vetëm takimet me krerë shtetëror si: presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Aty tutje theksohet se për këtë vizitë Lajçakut do t’i bashkohet edhe Palmer, ku më 1 qershor do të dalin në një konferencë të përbashkët për media.

Klankosova.tv mëson se zyrtari i lartë amerikan, Matthew Palmer, do të takohet me përfaqësues të opozitës. Ai nesër në Ambasadën e Amerikës në Kosovë nga ora 09:30 do të takohet me përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse gjatë ditës edhe me ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Diplomati amerikan në ditën e dytë të vizitës në vendin tonë, të martën do të takohet me të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Mbetet të shihet nëse në takimet e Palmerit me opozitën do të jetë i pranishëm edhe zyrtari i lartë evropian. Po ashtu nuk dihet nëse Lajçak dhe Palmer do të kenë takimet e përbashkëta me zyrtarët shtetëror.

Kjo vizitë e përfaqësuesit të BE-së dhe atij amerikan vjen para takimit të qershorit të kryeministrit Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, presidentit të Serbisë.

Me takimin e qershorit në Bruksel do të rinis procesi i dialogut, pas pezullimit të tij që nga dhjetori i vitit 2020.

Disa ditë më parë, Lajçak ka pritur në zyrën e tij në Bruksel Palmerin ku temë diskutimi patën edhe Ballkanin Perëndimor.

“I lumtur të mirëpres mikun tim të mirë Matt Palmer në Bruksel sot. Nuk është për t’u habitur që ne folëm për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun”, ka shkruar Lajçak në Twitter.