Ky ishte takimi i fundit i Vuçiqit me serbët e Kosovës, ja çka i pati kërkuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot pritet t’i takojë serbët e Kosovës, takimin ai e ftoi nga Brukseli të enjten.

Vuçiq do të takohet me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, liderët e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë, kryetarët e rretheve, drejtorët e spitaleve.

Takimin e fundit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, Vuçiq e pati më 22 mars të këtij viti, ku temë diskutimi patën mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe të 3 prillit.

Vuçiq pas takimit kishte deklaruar se serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet e vendosura për ata në Serbi.

Kosova e kishte refuzuar edhe propozimin e shteteve të Quint-it të cilët kishin bërë thirrje që zgjedhjet të mbaheshin në Kosovë, por Qeveria kishte vendosur që serbët të votojnë me postë ose fizikisht në qytetet e Serbisë.

Kurti tha se ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Ai tha se Beogradi nuk ka pranuar që Qeveria e tij t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar, por ka tentuar që këtë ta bëjë në nivel të zyrtarëve ndërlidhës.