Trajnerin e Ballkanit

Ky është vëllai i zyrtarit të Prishtinës që akuzohet për ‘sherrin’ me Ilir Dajën

K.S ishte njëri nga tifozët e përfshirë në sherrin për të cilin është ankuar trajneri Ilir Daja mbrëmë pas ndeshjes mes Prishtinës e Ballkanit.

Trajneri Daja deklaroi se tre tifozë të Prishtinës e kanë sharë atë vazhdimisht.

Pas ndeshjes ishte përfolur që të dyshuarit janë të afërt me zyrtarët e Prishtinës, ndërkaq Ballkani ka deklaruar që trajneri Daja edhe është sulmuar. Klubi suharekas ka akuzuar vëllain e një zyrtari të Prishtinës për ofendimet dhe ‘hedhjen e një shisheje’.

Por, kush është vëllai i zyrtarit të Prishtinës që akuzohet nga Ballkani?

Ballkani.info ka mësuar se ai është vëllai i Kushtrim Sopës, menaxherit të skuadrës së parë të FC Prishtinës. Emri i tij është Kujtim Sopa.

Kujtim dhe Kushtrim Sopa

Vëllezërit Sopa njihen të dy si tifozë të Prishtinës, me Kushtrimin që është njëri nga zyrtarët më jetëgjatë të stafit aktual në klub. Ai ushtron funksion zyrtar në FC Prishtina tash e disa vite.

Kujtim Sopa kishte ofenduar trajnerin Daja pas përfundimit të pjesës së parë derisa skuadrat ishin duke shkuar drejt dhomave të zhveshjes, ndërkaq i njëjti me grupin e tij kishte vazhduar me ofendime drejt bankës të Ballkanit edhe në fillim të pjesës së dytë.

Në pamjet e publikuara nga Paparaci, shihet se Sopa me shokët e tij kanë ofenduar vazhdimisht trajnerin Daja, duke e shtyrë atë të thërras delegatin e ndeshjes.

Fillimi i pjesës së dytë vonoi për pak minuta për shkak të këtij incidenti, mirëpo edhe pas vonesës së ndeshjes, i njëjti nuk ishte ndalur dhe kishte vazhduar me ofendime drejt bankës të skuadrës kundërshtare.

Vetë Daja e kishte mohuar mbrëmë të jetë sulmuar nga dikush në stadiumin “Fadil Vokrri”, mirëpo klubi i Ballkanit përmes një komunikate sot ka bërë të ditur se Daja dhe pjesa tjetër e skuadrës është sulmuar me shishe, pikërisht nga vëllai i njërit prej zyrtarëve të Prishtinës.

“Trajneri ynë, Ilir Daja, ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme verbale por edhe fizike nga persona që në stadium nuk ishin për futboll, por me qëllime të tjera jo sportive.

Në përfundimin e pjesës së parë, vëllau i një zyrtari të klubit vendas, ka hedhur shishe në drejtim të trajnerit Daja. Duke mos u ndalur me kaq, e fatkeqësisht para syve të sigurimit, ai dhe disa të tjerë në vazhdimësi kanë qëndruar mbi bankinën ku ishte skuadra jonë, duke ofenduar e kërcënuar trajnerin dhe stafin tonë teknik”, thuhet në komunikatën e Ballkanit.

As Prishtina e as Federata e Futbollit e Kosovës nuk kanë reaguar akoma lidhur me incidentet e ndodhura dje në stadiumin “Fadil Vokrri”.