Ylli i Kombëtares së Kosovës, Benjamin Kololli, e ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm, në stilin akrobatik, gjatë seancës stërvitore që po zhvillonin lojtarët e Zurichut dje.

Pasi që klubet e Zvicrës janë ende në pushim dimëror, trajneri i Zurichut, Ludovic Magnin, e ka shfrytëzuar këtë kohë për ta përgatitur skuadrën e tij për pjesën e dytë të sezonit.

Këto përgatitje janë duke shkuar mjaft mirë për skuadrën zvicerane, pasi që ata i fituan dy ndeshjet miqësore të cilat i ka zhvilluar këtë vit. Në këto dy ndeshje, Kololli arriti t’i shënojë plot katër gola.

Kololli i ka bërë gjithsej 24 paraqitje për Zurichun gjatë pjesës së parë të këtij sezoni, gjatë së cilave i shënoi nëntë gola dhe i bëri gjashtë asiste. Ndërsa, gjatë 17 paraqitjeve në ligën zvicerane, kosovari i shënoi gjashtë gola dhe i bëri katër asiste.

Këto paraqitje të Kolollit i kishin ndihmuar Zurichut ta sigurojë vendin e katërt në tabelën e Super Ligës zvicerane gjatë pjesës së parë të sezonit. Klubi i tij gjendet vetëm pesë pikë larg klubit në pozitën e dytë, Baselit, ndërsa plot 24 pikë larg liderit, Young Boys.

Ylli kosovar nuk e ka ulur nivelin e paraqitjeve të tij as në ndeshjet miqësore, të cilat janë duke u zhvilluar gjatë pushimit dimëror, derisa të fillojë pjesa e dytë e sezonit. Këtë gjë e dëshmojnë katër golat e tij në dy ndeshjet e fundit.

Kololli ishte treguar mjaft efektiv edhe në paraqitjet e tij për Kombëtaren e Kosovës, pasi që gjatë ndeshjeve të grupit të Ligës së Kombeve, kontribuoi me tri gola në suksesin e treguar nga skuadra e Bernard Challandes. Këto gola të tij ndihmuan që Kosova ta fitojë Grupin 3 të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve, duke e siguruar kështu promovimin në Ligën C dhe një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian.