Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje tejet të rëndësishme në këtë muaj.

Kosova do të përballet me Malin e Zi me shtatë qershor në Podgoricë, ndërsa tre ditë më vonë do të ballafaqohet me Bullgarinë në Sofje.

Të dy takimet zhvillohen jashtë fushë sonë dhe do të fillojnë nga ora 20:45.

Lajm i mirë është që kombëtarja e Kosovës nuk do të mbetet vetëm në ndeshjen ndaj Bullgarisë në Vasil Levski National Stadium.

‘Dardanët’ do të përkrahin kombëtaren e Kosovës në Bullgari, pasi djemtë tanë synojnë fitoren e madhe në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Sipas burimeve të sigurta të ‘GazetaBlic‘, rreth 500 bileta janë shitur për tifozët e Kosovës deri më tani.

Tifozët besnik të kombëtares do të nisen të dielën për në Bullgari në mënyrë të organizuar me 2 autobusë, ndërsa tifozët tjerë do të udhëtojnë në mënyra individuale.

Vlen të ceket se ‘Dardanët’ nuk mund të udhëtojnë për takimin ndaj Malit të Zi, pasi ky takim do të zhvillohet me dyer të mbyllura (pa tifozë), pas vendimit të UEFA-s, si ndëshkim për Federatën e Futbollit të Malit të Zi, pasi tifozët e tyre kishin kënduar kore raciste ndaj Anglisë gjë e cila është totalisht kundër rregullave strikte të shtëpisë së futbollit evropian.