Një ndeshje e jashtëzakonshme është zhvilluar sonte në “Johan Cruijff Arena”, ku Tottenhami bëri mrekullinë duke përmbysur Ajaxin për të arritur finalen e Ligës së Kampionëve.
Lucas Moura ishte heroi i ndeshjes së sotme, duke shënuar “hat-trick”, derisa Tottenhami shënoi fitore prej 2 me 3.
Dhe përkundër rezultatit të përgjithshëm prej 3 me 3, klubi anglez kualifikohet në finale pasi ka shënuar më shumë gola si mysafir.
Ajaxi kishte fituar ndeshjen e parë në Angli me rezultat prej 0-1, megjithatë sonte pësoi në shtëpi për t’u eliminuar nga Liga e Kampionëve.
Vendasit u treguan më të mirë në pjesën parë në ndeshjen e sotme duke shënuar dy gola.
Ishin De Ligt e Ziyech ata që shënuan golat për Ajaxin.
Derisa në pjesën e dytë ishte një skenar krejtësisht tjetër, me Tottenhamin që u tregua shumë e rrezikshme dhe arriti të përmbyste gjithçka.
Ishte braziliani Lucas Moura që shënoi tre gola, në minutat 55, 59 dhe 90+6, për ta çuar Tottenhamin në finalen e Ligës së Kampionëve.
Në finalen e 1 qershorit në Madrid, Tottenhami do të përballet me Liverpoolin e Jurgen Kloppit që mbrëmë e eliminoi Barcelonën në një ndeshje spektakolare, e me këtë rast titulli i Ligës së Kampionëve do të kthehet në Angli.







