Ky është ish-futbollisti shqiptar që dyshohet se është i përfshirë në rastin e kartonit të Granit Xhakës

Ish-futbollisti shqiptar, Alban Jusufi, po dyshohet se është i përfshirë në rastin e Granit Xhakës, i cili po hetohet për një karton të verdhë – me të cilin ishte ndëshkuar në dhjetor të vitit të kaluar.

“Sportsmail” raportoi së fundi se hetuesit që hetojnë kartonin e Granit Xhakës në fitoren e Arsenalit kundër Leeds Unitedit sezonin e kaluar, po shqyrtojnë një komplot të dyshuar kriminal që përfshin mafien shqiptare dhe një ish-futbollist profesionist i cili është dënuar për trukim ndeshjesh, transmeton Gazeta Express.

Ish-futbollisti thuhet se është Alban Jusufi, i cili në prill të vitit 2020 ishte dënuar nga Federata e Futbollit e Suedisë me pesë vjet pezullim nga futbolli.

41-vjeçari ishte shpallur fajtor pasi kishte tentuar ta korruptonte portierin e AIK-ut, Kyriakos Stamatopoulos, me 150 mijë funte për të mos performuar mirë përpara një derbi kundër IFK Gothenburg, në vitin 2017. Federata e Futbollit e Suedisë e kishte shtyrë ndeshjen pasi Stamatopoulos e kishte raportuar rastin.

Në rastin në fjalë ishte i përfshirë edhe ish-futbollisti nigerian, Dickson Etuh.

Etuhu dhe Jusufi ishin takuar me Stamatopoulos në një restorant në Stokholm më 16 maj të vitit 2017, ku kishte ndodhur edhe rasti i ryshfetit.

Ish-mesfushori nigerian, Etuhu, ishte lojtar i skuadrës së AIK-ut në atë kohë, ndërsa Jusufi, ishte pjesë e skuadrën IFK Rossjoholm, klub i nivelit të pestë të futbollit në Suedi.

Te rasti i Granit Xhakës, “Sportsmail” bëri të ditur NCA kanë zbuluar prova të shumave të konsiderueshme të basteve në kriptovaluta, në tregje që nuk janë të rregulluara në këtë vend, me një pjesë të madhe të aktivitetit që mendohet se ka ndodhur në Shqipëri, përcjell Gazeta Express.

NCA po shqyrton gjithashtu pretendimet se Alban Jusufi, një sulmues suedezo-shqiptar i dënuar me pesë vjet pezullim për trukim ndeshjesh nga gjykatat suedeze në vitin 2017, futi shuma të mëdha parash duke vënë bast që Xhaka të ndëshkohej.

Alban Jusufi, ish-futbollisti me prejardhje nga Kosova, me nënshtetësi suedeze, pjesën më të madhe të karrierës e kaloi duke luajtur në Suedi, te Angelholm, Klippans BolIF, Trelleborg, Malmo, Hogaborg dhe Rossjoholm.

Ai ka luajtur edhe te Sansovino në Itali, te Vllaznia në Shqipëri, si dhe Havant & Waterlooville në Angli.