Ky është 52 vjeçari i vrarë në Viti, i dyshuari ndodhet në paraburgim FOTO

Xhon Stoshiq 52 vjeçar nga fshati Binçë i Vitisë ka ndërruar jetë dje në spital në Prishtinë, pasi një javë më parë dyshohet se u rrah keq nga i dyshuari Ardian Rexhepi.

Mëson se i dyshuari e ka goditur me boks viktimën, i cili si pasojë e rënies në tokë ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Plagët për të kanë qenë të rënda, prandaj si pasojë e tyre ka ndërruar jetë dje edhe pse një javë qëndroi nën kujdesin e mantelbardhëve.

Foto, viktima: Xhon Stoshiq

Liridona Xheladini, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Gjilan, tha se fillimisht rasti është hapur si “lëndim i rëndë trupor” dhe ndaj të dyshuarit ishte paraqitur kërkesa për paraburgim një ditë pas përleshjes fizike. I njëjti aktualisht ndodhet nën masën e paraburgimit.

“I dyshuari A.R., sipas kërkesës së Prokurorisë gjendet në masën e paraburgimit. Kërkesa është paraqitur me datën 08.11.2020, ndaj të njëjtit për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa viktima Xh.S., ka ndërruar jetë dje, trupi i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion në IML”, tha Xheladini të dielen për Gazetën Express.

Foto, i dyshuari: Ardian Rexhepi

Motivet që çuan deri të vdekja e 52- vjeçarit mbeten akoma të paqarta.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet të hënën në orën 13:00 në varrezat e fshatit Binçë.